Vlerësimi i artistëve me pensione qesharake është një realitet i njohur në vendin tonë, sikurse ka edhe nga ata që mbajnë prej vitesh titullin “ Mjeshtër I Madh” dhe nuk përfitojnë pension të veçantë.

 

E ftuar përmes skype në emisionin “Vizioni i Pasdites”, Rita Gjeka, drejtore e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, denoncoi rastin e dy artistëve, Besnik Cinari dhe Drane Xhaji, të cilët nuk përfitojnë pension të veçantë nga shteti.

 

“Në fundit të fundit unë kam disa mjeshtra të mëdhenj që sillen nëpër Shkodër e janë fukarenj vërtetë. Pse nuk i vihet një firmë për me marrë një rrogë apo pension ashtu siç duhet. Drane Xhaji nuk ka pension të veçantë. Lum e lum se janë mjeshtra të mëdhenj. Nuk i firmoset pensioni i veçantë”, tha Gjeka.

 

Për Gjekën, padrejtësia e kryer ndaj artistëve është e turpshme. Pensionet nuk janë në proporcione me kontributin e dhënë nga artistët për shtetit, duke bërë që artistët e mëdhenj, që emocionojnë publikun në çdo dalje të tyren, të vuajnë për bukën e gojës.

 

“Për Besën (Besnik Cinarin) e për Dranen, dy miqtë e mi, mjeshtra të mëdhenj të dy. Kanë dalë në pension, me të mund të blejnë ilaçet, bukë edhe ndoshta djathë. Dhe janë personat më të pëlqyer në publik. Më vjen turp që e them por është fakt i pamohueshëm. Ndoshta pijnë dhe një kafe 50 lekëshe”, përfundoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *