Analisti Arbër Vllahiu në nëj intervistë në Vizion Plus ka folur lidhur me situatën e krijuar në Veri të Kosovës dhe kritikave të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë së Albin Kurtit.

 

Përse u ndezën sërish tensionet në Veri të Kosovës?

 

“Ajo që ndodhi nuk mund të pritej që do të ndodhte në këtë formë. Qeveria Kurti deshi që të përmbushte pjesën formale juridike, që nënkupton të shihte kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të jenë në detyrat e tyre, në zyrat e tyre. Ajo që nuk ndodhi ishte në ditën kur u bë betimi i këtyre kryetarëve, të paktën tre prej tyre nuk u betuan në zyrat komunale, po në disa ndërtesa që ishin publike, por nuk janë ndërtesa administrative, vetëm kryetari i Mitrovicës së Veriut arriti që ta bënte këtë në një ndërtesë që është zyrtare.  Kësaj radhe përveç faktit që Kurti kishte të drejtën që të përmbushte pjesën formale-juridike, ai megjithatë nuk pati sensin që të dëgjonte bashkësinë ndërkombëtare, e cila i dha porositë disa ditë më herët”, tha ai duke iu referuar këshillave ndërkombëtare për të mos patur polici në terren dhe pritjen e qetësimit të situatës në Veri. “Kurti po do të luajë pak a shumë me një lloj diplomacie duke vringëlluar armët ose duke bërë sikur po bën pushtetin në pjesën veriore të pushtetit, por kjo duket se ka ngjallur një neveri ta quaj të bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai duke theksuar se ndërkombëtarët e kanë cilësuar si budallallëk.

 

Pse është ky diferencim mes dy vendeve dhe pesha e fajit duhet të kalojë vetëm tek Kosova dhe jo tek Serbia?

“Kosova e bëri hapin e saj dhe për arsye se Kosova kishte të drejtën e saj që të mbante ato zgjedhje që kishte mbajtur për të plotësuar apo përmbushur aspektin juridik dhe Kushtetues të Kosovës, sepse kryetarët e zgjedhur do duhej që të vendoseshin në zyrat e tyre dhe të bënin detyrat e tyre”, thekson ai. “Prishtina do duhej që të kishte edhe një sens tjetër, që të përkujdesej për serbët e Kosovës në pjesën veriore të Kosovës si qytetarë të saj, serbët e Kosovës nuk janë qytetarë të Serbisë, prandaj faji nuk mund t’i mbetet vetëm Serbisë. Serbia ka fajin e saj sepse kishte ndikuar që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje e kishte bërë presion mbi ta që të bojkotojnë çdo gjë që vjen nga Kosova, por në këtë rast Kosova kishte fajësinë e saj sepse nuk u përkujdes për serbët e Kosovës si për qytetarët e saj”, shton ai.

 

Serbia nga ana tjetër ka kaluar ushtrinë në gatishmëti, a duhej të kishte një paralajmërim nga Perëndimi edhe në drejtim të Beogradit?

 

“U bë paralajmërimi nga deklarata e vendeve të QUINT-it, në një deklaratë në po të njëjtën ditë ku ndodhën tensionet, ndaj duhet të shohim se çdo të ndodhë prej ditës së nesërme kur këto kryetarë të zgjedhur a do të shkojnë sërish me polici në vendet e tyre të punës, a do të përcillen sërish me polici dhe në gjithë rrugët e qyteteve ku janë zgjedhur si krerë komunash, a do të ruhet flamuri i Kosovës në secilën ndërtesë në 24 orë”, tha ai.

 

Mendoni se do të ketë një agravim të situatës?

 

“Mendoj se kjo situatë nuk mund të qetësohet në formën si ka nisur, nesër do të shohim se si ka mundësi që këta kryetarë, të bëhen tamam kryetarë në komunat ku janë zgjedhur, do të shohim nëse Prishtina zyrtare do ta vazhdojë gjithë këtë politikë të saj të përplasjes jo vetëm me banorët lokal atje, por edhe me bashkësinë kombëtare”, përgjigjet Vllahiu duke theksuar se reagimi i ndërkombëtarëve ndaj Serbisë ishte i fuqishëm, duke shtuar se udhëzimet ishin që krerët të jenë kryetarë teknikë që kanë ndjeshmëri për qytetarët serbë në Kosovë.

 

Presidenti Vuçiç njoftoi dje dorëheqjen nga drejtimi i partisë, mendoni se kjo është strategji e tij?

 

“Në aspektin e brendshëm të Serbisë, Vuçiç është duke u përballur me ato që janë protestat më të mëdha prej vitesh në Beograd, qoftë të opozitës dhe të shoqërisë në tërësi. Në përballjen me Kosovën duhet të them se presidenti Vuçiç dhe Kurti po kërkojnë një lloj daljeje nga situata në të cilën janë gjendur dhe gjendja e tyre në këtë situatë është se kanë arritur një dakordësi për një marrëveshje në Ohër dhe tani duket se asnjëri dhe as tjetri nuk janë të gatshëm të përmbushin atë që janë marrë vesh mes vetes”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *