Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra ku ndodhej ditën e sotme ka bërë të ditur projeksionet për rritjen e pagës mesatare, duke parashikuar që deri në vitin 2030 ajo të arrijë në 1000 euro, ndërsa paga mesatare në sektorin publik pritet të shkojë në 1200 euro.
Rama u ndal edhe tek reforma e pensioneve, duke theksuar se para se PS të merrte detyrën në 2013, ishte krijuar një gropë e madhe në sistemin e pensioneve, ndërsa në 2014, pas reformës është realizuar një ndryshim i rëndësishëm. Kryeministri gjithashtu theksoi se ekonomia e stabilizuar ka mundësuar rritjen e bonusit për pensionistët, me synimin për të ofruar më shumë mbështetje financiare për ta në të ardhmen.
Rama: Projeksioni i pagës mesatare në 2030 është 1000 euro, ndërsa 1200 është projeksioni i pagës mesatare në sektorin publik. Te pensionet dua të ndalem një moment sepse kemi një pasqyrë shumë kuptimplotë të asaj që sjell keqqeverisja ose mirëqeverisja. Në vitet ku u godit ideja e pensionit në mënyrën më barabre ndodhi fillimi i hapjes së një grope shumë të madhe që është akoma mes nesh. U shkatërruan shumë industri, u mbyllën shumë fabrika dhe shumë njerëz u konsideruan pensionistë në moshën 40 vjeç. U krijua një numër shumë i madh pensionistësh, të cilëve nuk iu dha pension, por iu dha një asistence. U vendos një tavan prej 24 mijë lekësh dhe u veprua kështu për 23 vite. Ne nuk kishim një sistem sigurimesh dhe një fond të qëndrueshëm por kishte një gropë që vetëm thellohej. Ne bëmë reformën e pensioneve në vitin 2014 dhe e përmbysëm logjikën. Pensionin duhet ta lësh në funksion të investimit që bën secili duke paguar sigurimet shëndetësore. Sot kemi dy blloqe pensionistësh, ata që kanë dalë para reformës dhe kanë pensione më të ulëta dhe ata që kanë dalë pas reformës dhe kanë pensione më të larta.

Rama fajësoi Berishën për situatën në të cilën ndodhen pensionistët. Synimi është që në vitin 2030 pensioni mesatar të arrijë në 400 euro, ndërsa tha se do të punojnë që asnjë pensionist mos të marrë pension nën 200 euro.
Rama: Ne duhet të gjejmë një mënyrë që tu vijmë më parë atyre që kanë dalë para reformës. Kemi një rritje ekonomike shumë të qëndrueshme dhe tani na u krijua mundësia që të rrisim bonusin. Në fillim rritëm bonusin, pastaj na u krijua mundësia për të dhënë dy bonuse. Gjë që duam ta bëjmë vitin, tjetër e me radhë. Sot kemi një pension mesatar 300 euro. Pensioni mesatar do të shkojë 400 euro në Shqipërinë 2030, ndërkohë për pjesën tjetër do të fusim më shumë nga arka e përbashkët për të arritur që të mos ketë në Shqipëri pension nën 200 euro. Kjo situatë ka një autor, autori është ai 80 e kusur vjeçari që nuk di çfarë flet më dhe që do të bëjë çorap Shqipërinë sepse është i pashpresë dhe nuk di të bëjë gjë tjetër./vizionplus.tv





