Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha sot se mbrojtja e qytetarëve druzë dhe të drejtave të tyre është prioriteti i qeverisë së tij.
Dekalratat Al Sharah i bëri ndërsa një armëpushim ka hyrë në fuqi në jug të vendit pas ndërhyrjes së SHBA-së për t’i dhënë fund luftimeve midis forcave qeveritare dhe luftëtarëve druzë.
Ndërkohë gjatë natës, forcat qeveritare u panë të tërhiqeshin nga qyteti Sueida ku ndodhën trazirat.
“Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta. Ne e kemi kaluar jetën duke u përballur me sfida dhe duke mbrojtur popullin tonë, por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit”, tha Presidenti sirian.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha dje në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara kishin angazhuar të gjitha palët e përfshira për t’i dhënë fund përplasjeve të përgjakshme.
Dhuna në jug të Sirisë shpërtheu mes forcave të armatosura qeveritare dhe anëtarëve të komunitetit druz të mbështetur nga Izraeli pas disa incidenteve.
Tel Avivi ndërmori një sërë sulmesh ajrore duke shënjestruar dhe ndërtesat qeveritare përfshirë ministrinë e Mbrojtjes së Sirisë dhe pallatin presidencial me pretendimin se po mbështet komunitetin druz.
Duke i përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si xhihadistë, Izraeli bëri të qartë se nuk do t’i lejojë ata t’i zhvendosin forcat në jug të Sirisë ndërsa është zotuar se do ta mbrojë pakicën druze.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet për të adresuar këtë konflikt./vizionplus.tv





