Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë, thotë se shteti shqiptar nuk mund ta lërë sigurinë ushqimore në dorë të një biznesi.
Sipas tij nuk ka asnjë evidencë dhe analizë që e fakton se mandarinat janë asgjësuar.
“Autoritetet duhet t’i kundërpërgjigjen palës kroate edhe me analiza të bëra në një laborator tjetër europian, nëse mendojnë se kjo është një luftë tregtare. Sot ne nuk kemi asnjë dokument që na e fakton këtë. Raste të tilla tregojnë se mbyllet njëri sy nga autoritetet që sasia të ketë mundësi të hidhet në treg. Ndaj gjurmimi dhe ndjekja e rasti nga AKU ka çaluar”, tha Panariti në Vizion Plus.
Sipas tij publiku duhet të informohet se këto pesticide nuk konsiderohen alarmante.
“Në shumicën e rasteve këto pesticide qëndrojnë në lëvozhgën e frutave. Ndaj heqja e tyre bën që rreziku të shmanget 95%. Mbi të gjitha është e nevojshme që për një higjienë ushqimore, duhet që frutat apo perimet të qëndrojnë disa minuta në ujë, në mënyrë që ato të treten”, sqaroi Panariti.
/vizionplus.tv





