Sa të sigurtë janë shqiptarët nga ushqimet që konsumojnë? Kjo ishte një nga pikat e diskutimit këtë të martë në emisionin Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I ftuar në studio mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, tha se nuk është zgjidhja gjoba ndaj biznesit për të ruajtur sigurinë ushqimore.
Ai propozoi që një zghjidhje e mirë është që për çdo biznes të vendosen pikë, në mënyrë që konsumatori ta ketë të qartë se ku është duke e blerë produktin.
Alimehmeti shtoi gjithashtu se Shqipëria ka nevojë për modelet më të mira Europiane.
“Do të doja të besoja që të gjithë inspektorët janë të ndershëm dhe nuk bëjnë numra. Po ju jap një shembull nuk lejohet duhani në ambiente të brendshme, dhe ju e keni të qartë sa ju mbajnë erë rrobat kur dilni nga këto lokale. Nëse mendoni se zgjidhet gjë me gjoba, janë komplet gjë ndryshe. 11 mijë gjoba u vunë këtë fundjavë për makinat, mendoni se e zgjidhin problemin? Jo, është të bësh sikur punon. Ne duhet të marrim modelet më të mira nga jashtë dhe t’i implementojmë në Shqipëri. Sa kohë që njerëzit konstatojnë që ka probleme me sigurinë ushqimore, sigurisht që aty ka probleme. Pse nuk pajisen lokalet dyqanet me pika, njësoj si hotelet me yje. Të pajisen me pika që qytetarët ta kenë të qartë. Kemi letër kuponin tatimor, pse nuk ka këtë që na bën punë por këto të kotat. Këtu duhet të shkojmë ne te politikat e larta, që të jetë i fuqizuar konsumatori”, tha Alimehmeti. /Vizionplus.tv./





