Një shpërthim ka ndodhur në zonën e Brrylit te pika e karburantit “Eida”.
Shpërthimi u shkaktua nga një bombol e pikës së karburantit, e për pasojë u shemb një godinë njëkatëshe.
Lexo edhe :
Related Posts
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati viktima.
Mirëpo, si pasojë e shpërthimit u lënduan 3 punonjës të karburantit. Në momentin e shpërthimit kanë qenë duke furnizuar me gaz një automjet.
“Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.
Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit”, thuhej në njoftimin e policisë.
Si paraqitet gjendja e të lënduarve?
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion zyrtar për gjendjen e të lënduarve.
“Tre personat e dëmtuar si pasojë e shpërthimit të ndodhur në një karburant pranë zonës së “Brrylit”, Tiranë, janë paraqitur për trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.
Pacientët V. H., R. A. dhe A. XH. ndodhen në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe janë nën kujdesin e ekipit mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës.
Aktualisht, po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tyre shëndetësore, në përputhje me protokollet mjekësore”, thuhet në njoftim.
Edhe Shkëlqim Goxhaj, drejtori i Zjarrfikëses në Tiranë dha detaje në lidhje me shpërthimin bombolës së gazit në pikën e karburantit te zona e Brrylit.
Goxhaj tha se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e kompanisë. Ai shtoi se shkak dyshohet rrjedhja e gazit. Shtoi se çdo gjë është vënë nën kontroll për pak minuta.
“Shpërthimi ka ndodhur në zyrën e karburantit. Ka pasur edhe flakë. Kjo ka ndodhur nga shpërthimi. Menjëherë shërbimet zjarrfikëse kanë mbyllur rrjedhjen e gazit. Shkak për ngjarjen është rrjedhja e gazit. Në pak minuta, janë izoluar flakët dhe situata u vendos nën kontroll. Masa e flakëve nuk ka qenë shumë e madhe”, tha Goxhaj.
Një tjetër version paraprak vjen nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial. Pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, ISHTI përjashtoi shpërthimin e depozitave të karburantit dhe ngriti dyshimin se zjarri mund të ketë nisur nga një automjet brenda territorit të stacionit dhe më pas të jetë shoqëruar me shpërthim.
“Nga vlerësimi paraprak i grupit të inspektimit të ISHTI-t në stacionin e shitjes me pakicë të karburanteve “Skënderi G” sh.p.k., me vendndodhje te Brryli, Tiranë, rezulton se nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburanteve. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet në territorin e stacionit të karburanteve, i cili është shoqëruar edhe me eksplozion” tha ISHTI në një reagim paraprak nga mediat.






