Përdorimi masiv i dograve është kthyer në një problem mjaft shqetësues në Shqipëri.
Sipas shërbimit universitar të toksikologjisë klinike në QSUT një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim.
Një prej tyre ka pranuar të rrëfejë vuajtjet nga përdorimi për gati dy dekada i lëndëve narkotike .
“Prej 20 vitesh, nuk më ka shtyrë njeri, shoqëria ndikon sepse duke parë të tjerët, hajd ta provojmë dhe ne njëherë, e ka marrë vesh dhe familja, e vetëdijshme është, familja çfarë do thotë, që me e lënë sa më shpejt, u bënë 4-5 vjet që e kam lënë, trajtimi shumë mirë, u bënë gati 10 vite, kjo nuk të lë as më punu, kemi qenë jashtë, kemi pasur ndonjë lekë nëpër duar”, tha konsumatori.
Mjekja toksikologe Suela Xhufi rendit disa arsye për rritjen e numrit të përdoruesve të dograve në vendin tonë.
“Arsyet janë nga më të ndryshmet, mund të them ekonomike, sociale, një informacion shumë i tepruar në rrjete sociale dhe jo vetëm, të cilat e çojnë një fëmijë të moshës 12 vjeç drejt shembujve të cilat nuk japin një benefit për tu bërë një individ më i mirë. Do të ketë një ulje të inteligjencës, do të kemi çrregullime të sistemit psikiatrik, si depresioni apo sëmundje të rënda siç është skizofrenia, kemi rënie të imunitetit, kemi një ndryshim të personalitetit, çrregullime të gjumit, çrregullime në të ushqyer”, tha Suela Xhufi.
Numri i atyre që zgjedhin të trajtohen është më i vogël se i përdoruesve që mbeten nën varësinë e drogës.
“Ndihma është shumë e vonë fatkeqësisht dhe ky është një problem kryesor sepse dhe ata që janë jo plotësisht të varur vinë vetëm prej familjarëve. Dhe personat e varur vine vetëm në stadet e rënda, më shumë vinë alkool dhe marijuanë ose kokainë. Ne bëjmë një detox të pacientit e cila mund të zgjas nga 10 ditë deri në 15 ditë. Pacienti që është i varur kërkon ndihmën e gjithë familjes ose gjithë rrethit shoqëror. Ka dhe raste suksesi, psh 3 vite pa përdorim”, shtoi ajo.
Mjekët specialistë këshillojnë të gjithë të rinjtë të cilët janë konsumues të drogave të kërkojnë ndihmë shpejt për të shmangur pasojat e rënda. /vizionplus.tv





