Ulja e temperaturave është shoqëruar me viroza të shumta që qarkullojnë në vendin tonë, veçanërisht te fëmijët.
Mjekja pediatre, Irma Hajdari, thotë se numri i rasteve që paraqiten në urgjencë është i lartë, ndërsa grupmoshat më të prekura janë fëmijët deri në moshën 3-vjeçare.
“Në urgjencë paraqiten një numër i madh rastesh me viroza, por edhe ndërlikime, ku një pjesë e mirë e tyre janë me probleme respiratore të rrugëve të sipërme. Moshat 0-3 vjeç janë më problematiket. Nuk përjashtohen as fëmijët e moshës 3-14 vjeç, kryesisht ata të grupmoshave shkollore, por rastet më të shpeshta dhe më problematike janë tek të vegjlit,” u shpreh mjekja pediatre Irma Hajdari.
Ajo shton se janë të shumta rastet kur abuzohet me përdorimin e antibiotikëve te fëmijët, shpesh pa rekomandimin e specialistëve.
“Ka raste që abuzohet me përdorimin e antibiotikëve, sidomos kur përpiqen të shmangin pjesën e kontrollit mjekësor. Në situata virale nuk ka arsye të përdoren antibiotikë. Duhet bërë vizita te mjeku dhe pastaj të përcaktohet nëse është e nevojshme përdorimi i antibiotikëve,” tha mjekja.
Mjekët këshillojnë që të shmangen kontaktet e fëmijëve me të tjerët dhe të dërgohen të vegjlit në qendrat shëndetësore sapo të shfaqen simptomat e para. /vizionplus.tv