
Shtohen përdoruesit e heroinës, mes tyre janë edhe shumë gjimnazistë
Vetëm gjatë muajit të fundit, policia ka sekuestruar rreth 10 kg heroinë, e destinuar për tregun vendas ndërsa shpërndarësit e “ drogës së vdekjes ” kanë përfunduar në pranga. Një ish përdorues, i cili tashmë ka hequr dorë dhe trajtohet me metadon, thotë se heroinën mund ta gjesh kudo, mjafton të kesh para.
Rritja e numrit të përdoruesve të heroinës konstatohet edhe nga shoqatat që ndihmojnë personat që kanë probleme me drogën.
Genci Muçollari: “Aktualisht në 9 qendrat tona kemi mbi 700 persona që trajtohen kurse vjet ose parvjet ky numër ishte 550-600. Pra trendi është në rritje, në qytetet Vlorë, Elbasan , Fier dhe sigurisht edhe në Tiranë ku nuk po përballojmë dot më kërkesat”.
Gjithashtu vërehet se heroina po merret gjithnjë e më shumë nga moshat e reja.
“Nuk ka shifra të sakta , por mendohet se 4-5 % e përdoruesve janë nga shkollat e mesme dhe frika jonë kjo është.. ”
Rritja e numrit të përdoruesve si dhe lehtësia me të cilën gjendet heroina në Tiranë e jo vetëm, tregon nga ana tjetër edhe punën e pamjaftueshme të agjentëve antidrogë në zbulimin e trafikantëve.




