Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se duke filluar nga 8 nëntori do të heqë kufizimet për të hyrë në Shtetet e bashkuara nëpërmjet kufijve tokësorë dhe ajrorë të vendit, ndaj atyre shtetasve të huaj të cilët janë të vaksinuar plotësisht.

Kufizimet ndaj udhëtimeve jothelbësore janë vendosur që nga marsi i vitit 2020 me synimin për të trajtuar pandeminë e COVID-19. Agjencia Reuters ishte e para që njoftoi vendimin e Shtëpisë së Bardhë më herët gjatë ditës së premte.

Kufizimet për shtetasit jo-amerikanë u vendosën fillimisht nga administrata Trump, në janar të 2020 vetëm ndaj udhëtarëve që vinim me linja ajrore nga Kina. Më pas ato u shtrinë dhe ndaj dhjetëra vendeve të tjera, por pa ndonjë plan të qartë se si dhe kur mund të hiqeshin.

Shtetet e Bashkuara kishin mbetur shumë pas vendeve të tjera në heqjen e kufizimeve të kësaj natyre dhe vendet aleate e mirëpritën këtë vendim.

Kufizimet e vendosura nga SHBA kanë ndaluar udhëtimet nga shumica e vendeve të botës, përfshirë të dhjetëra mijëra shtetasve të huaj të cilët kanë të afërm në Shtetet e Bashkuara apo lidhje biznesi.

Të martën Shtëpia e Bardhë njoftoi se në fillim të nëntorit do të heqë kufizimet në kufijtë e saj tokësorë dhe ujor me Kanadanë e Meksikën për ata shtetas nga këto vende që janë të vaksinuar plotësisht. Ato janë të ngjashme, por jo identike me kërkesat e shpallura muajin e kaluar për udhëtimet ndërkombëtare ajrore.

Vizitorëve të pavaksinuar do t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja ose Meksika nëpërmjet kufijve tokësorë.

Më 9 gusht, Kanadaja filloi të lejojë vizitorët amerikanë të vaksinuar plotësisht për udhëtime jothelbësore./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *