Pas shtëpisë muze të shkrimtarit Ismail Kadare, një tjetër atraksion turistik i shtohen kryeqytetit.
Edhe apartamenti i Dritëro Agollit do të kthehet në shtëpi muze dhe do të hapet së shpejti për tu vizituar nga qytetarët dhe turistët.
“Shtëpia muze ndodhet brenda një pallati ku ende jetojnë njerëz. Kur dikush vjen të vizitojë muzeun, mund të shkëmbehet edhe me banorët në ashensor ose nëpër shkallë. Ndoshta, ky është muzeu i së ardhmes, një muze që jeton në ekosistemin e komunitetit. Kush vjen në këtë pallat mund të vizitojë shtëpitë e dy ikonave të letërsisë tonë, Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë, që ndahen vetëm nga një kat”, tha Veliaj.
Kryebashkiku renditi disa nga rikonstruksionet në Tiranë, siç janë “Shtëpia me Gjethe”, “Shtëpia Kadare” apo edhe “Kinema Maks Velo”, që janë kthyer në atraksione turistike.
“Ka vend për të ruajtur atë që është me vlerë, siç është ky pallat dhe këto dy shtëpi muze, siç edhe ka vend për kullat që janë në anën tjetër, të një qyteti që po rritet. Ato pak gjëra të vjetra që vërtet meritojnë të ruhen, siç është Shtëpia e Libohovitëve, që do të kthehet në muzeun “Besa” për të kujtuar mbrojtjen e hebrenjve nga shqiptarët apo Sarajet e Toptanëve, që do të kthehen në Muzeun Etnografik të Tiranës, janë realisht monumente kulture. I kemi dhënë një përgjigje shteruese të gjithë debatit, çfarë ruhet dhe çfarë nuk ruhet. Më vjen mirë gjithashtu që, godina e Radio Tiranës ka filluar të transformohet. Për të gjithë ata që janë në panik u them se ndërtesa do të ruhet siç është”- vijoi Veliaj.
Sipas Veliajt, Tirana ka shumë stacione të tilla turistike, ndërsa njoftoi se bashkë me Bankën e Shqipërisë do të hapet një ekspozitë e Ibrahim Kodrës në godinën e ish-hotel Dajtit që tashmë është seli e Bankës së Shqipërisë.