Nga Tirana për në Milano, Bergamo, Vjenë, Antalia apo qytete të tjera, ku një biletë avioni nuk shkon më shumë se 50 euro vajtje-ardhje. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, mesatarisht një shqiptar ka dalë jashtë territorit të vendit gjatë 9 muajve të parë të vitit. Numri i daljeve është rritur me 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Lëvizjet kanë qenë të shumta, pasi siç kemi vënë re, shumë njerëz kanë emigruar jashtë dhe si pasojë e kësaj ka shumë familjarë që shkojnë për pushime apo për të vizituar të afërmit e tyre. Përveç kësaj, nga kërkesa e madhe janë hapur shumë linja ajrore të reja dhe çmimet janë bërë shumë konkurruese. Gjatë tetorit, biletat për në Itali i gjeje 14 euro për vajtje dhe 14 euro për kthim”, tha Kristina Gjinaj, operatore turistike.
Një nga destinacionet kryesore për pushime për shqiptarët është Turqia, ku paketat turistike u shtrenjtuan me gati 20–30% gjatë verës, por mesa duket kjo nuk i ka penguar të udhëtojnë atje.
“Çdo gjë është rritur, dhe pushimet në Antalya janë gjithmonë ‘on top’. Të gjithë njerëzit i kërkojnë, dhe kërkesa ka qenë gjithmonë e lartë për në Antalya”, shtoi Gjinaj.
Vitet e kaluara, një pjesë e njerëzve prisnin mbarimin e gushtit për t’u relaksuar jashtë vendit me çmime më të lira, por këtë vit trendi ndryshoi.
“Ka qenë gjithmonë miti që në shtator bien çmimet, por këtë vit rezultoi që deri në mes të këtij muaji çmimet të jenë njësoj si në gusht. Pas kësaj date, deri tani në tetor, çmimet janë ulur ndjeshëm”, tha Gjinaj.
Deri në fund të vitit pritet që numri i daljeve të shqiptarëve jashtë territorit të vendit të arrijë deri në 8.5 milionë dalje, sipas përllogaritjeve./vizionplus.tv





