Mes 190 vendeve pjesëmarrëse dhe 5600 ekspozuesve, Shqipëria është sot në qendër të vëmëndjes globale si vend i nderit sa i takon turizmit në Panairin e ITB Berlin 2025.
Para çeljes së Panairit, u zhvillua një konferencë për shtyp, ku Kryeministri Rama u ndal te arritjet turistike në vendin tonë.
“Bazuar në kartën e turizmit të kombeve të bashkuara, deri më tani Shqipëria është vendi më me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë dhe po kështu kemi dhe aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë deri më tani”, tha Rama.
Rama u pyet për qëndrimet afatgjata të turistëve në Shqipëri, duke evidentuar edhe domosdoshmërinë e linjave tokësore dhe linjat e trageteve me Italinë.
“Jam tejet e i bindur që ashtu siç po ndodh sot, do të rritet edhe më shumë, me më shumë zviceranë, me më shumë gjermanë, me më shumë izraelite, me më shumë turistë të Evropës veriore që do të vijnë tek ne për bukuritë e maleve, për kënaqësinë e jashtëzakonshme të ngjitjes në to, për bukuritë e aventurave të tjera, rafting në lumenj, e kështu me radhë. Shqipëria ka për këdo një vend. Është një vend shumë i vogël, por ndryshe nga Zvicra është më i larmishëm”, deklaroi kryeministri.
Pyetjes së gazetarit, kreu i qeverisë iu përgjigj po me pyetje:
“Jeni gazetarë apo jeni protestues, spo ju kuptoj?”, i tha ai.
Gazetari: Pyetja ime kishte të bënte dhe me linjën tokësore.
Rama: Po vjen ngadalë në mënyrë të qëndrueshme hap pas hapi. Për momentin jemi mjaft të prirur që të zëmë qiejt. Sa për tokën, ju ftojmë ju ta pushtoni.
Gazetarit izraelit mbi numrin më të lartë të vizitorëve që shkojnë në shtetin fqinj grek, Rama tha se nuk xhelozon, ndërsa bëri një thirrje të drejtpërdrejt
“Në qoftë se doni të ndjeheni siç ndihet Zoti, ejani në Shqipëri në qoftë se doni të shkoni në një vend ku mendoni që edhe shoferët e taksive janë perëndi shkoni në Greqi, por në qoftë se doni të ndjeheni kësisoj, ejani në Shqipëri dhe presim me padurim që të kemi sa më shumë hebrenj në Shqipëri. E dimë që për ne është dashuri, për ju është edhe para, por më mirë ejani në Shqipëri. Do të kurseni më shumë sesa në Greqi dhe do të keni gjithçka keni në Greqi me shumë pluse të tjera”, u shpreh Rama.
Shefi i qeverisë u shpreh se së shpejti do të hapet një aeroport i ri përball ishullit të Korfuzit.
“Kemi mjaft kompani ajrore që kanë ardhur dhe shumë të tjera që do të vijnë. Jemi në bisedime me aviacionin federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pasur fluturim të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së shpejti shpresoj shumë do të kemi edhe Katar AirËays, po kështu kemi fluturime edhe nga Emiratet dhe Arabia Saudite. Kështu që, pak a shumë kur të doni të vini në Shqipëri ka shumë mënyra. Po kështu, kemi një aeroport mjaft të lirë”, tha kryeministri.
Nën moton e panairit të këtij viti “Bota e udhëtimit jeton këtu”, ekspozues dhe vizitorë e tregtarë nga e gjithë bota, do të paraqesin më të mirat e tyre në “City Cube Berlin”.
/vizionplus.tv





