Në kryeqytet ka nisur këtë të premte Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”, një ngjarje e cila po mbledh për herë të parë studiues vendas dhe të huaj për të hedhur dritë mbi rolin e territoreve shqiptare në kohën e Bizantit.
Në konferencë marrin pjesë dhjetëra akademikë, arkeologë, historianë dhe ekspertë të trashëgimisë, të cilët do të paraqesin kumtesa mbi tematikat kryesore të periudhës bizantine, nga organizimi kishtar e administrativ, deri te arti, arkitektura, dorëshkrimet e vjetra dhe ndikimet kulturore që kanë lënë gjurmë deri sot.
“Me këtë ngjarje është rilindur historia e shumë shekujve të Shqipëri dhe mbi të gjitha është një ngjarje shumë e rëndësishme pasi është një dëshmi për marrëdhënien e shqiptarëve me botën që i ka rrethuar dhe që mbeten një dëshmi e historisë së shkuar dhe që na bën krenar që jemi shqiptar. Kjo konferencë ka për qëllim të dëshmojë këtë lidhje historie që kemi patur dhe kemi me fqinjët, me faktorët ndërkombëtar me peshë dhe që Shqipëria mbetet një qendër e kulturës identitare”, tha historiani Paskal Milo.
Ky organizim shihet si një hap i rëndësishëm për studimet historike në vend, duke synuar krijimin e një qendre bashkëpunimi ndërkombëtar dhe nxitjen e kërkimeve të mëtejshme mbi një prej periudhave më të rëndësishme të historisë sonë.
Punimet do të vijojnë edhe të shtunën në Akademinë e Shkencave, në sallën “Aleks Buda”, ku diskutimet pritet të thellohen mbi çështjet e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të periudhës bizantine në Shqipëri./vizionplus.tv





