Legjislacioni shqiptar nuk duhet të harmonizohet me atë të Bashkimit Europian vetëm në letër, por të zbatohet në terren. Ky ishte mesazhi i ambasadorit Silvio Gonzato i cili theksoi se përkujdesja sociale është ai sektor në të cilin reformat prekin më së tepërmi qytetarët.
“Duhet të ketë një harmonizim të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Duhet të ketë një rishikim të ligjit për përkujdesjen sociale për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Duhet të përqendrohemi tek zbatimi: harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së është i rëndësishëm, por nuk mjafton pa zbatim. Duhet të ketë zbatim efektiv, që kërkon buxhet, burime të duhura njerëzore dhe sisteme të forta të përkujdesjes”, tha Gonzato.
Lexo edhe :
Related Posts
Në tryezën për shërbimin social, Gonzato foli edhe per shifrat e parave te dhëna nga Unioni në mënyrë që vendi ynë të luftojë varfërinë.
“Po investojmë më shumë se 100 milionë euro përmes projekteve të BE-së për gjithëpërfshirjen dhe punësimin social. Këto plotësohen edhe nga Plani i Rritjes i BE-së, nga i cili Shqipëria ka marrë 100 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kapitalit njerëzor. Kemi mbështetur 41 bashki për të krijuar planet e tyre vendore sociale, me qëllim që të hartojnë reagimet e duhura për nevojat që kanë analizuar”, tha ambasadori.
Kryeministri Edi Rama nenvizoi se shërbimet jane përmiresuar por gjithashtu pranoi se ka ende për të bërë.
“Risia ka qenë shtrirja e shërbimeve në nivel vendor dhe përfshirja e pushtetit vendor në mënyrë aktive gjë që është në hapat e para, por që tani na ka dhënë të gjitha arsyet për të besuar se kjo është rruga e drejtë. Çuarja e këtij procesi përpara nënkupton që të shkojmë përtej volumit dhe shifrave që janë inkurajuese se që sot Shqipëria të kujdeset në mënyrë të posaçme për 65 mijë individë është shumë domethënëse”, tha Rama.
Teksa pranoi se fondet e dhëna nga Unioni janë inkurajuese, Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe qeverisë qendrore në mënyrë që të çohet përpara procesi i shumëkërkuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
/vizionplus.tv






