Gol dhe asist në Conference League, mbrëmje fantastike për Kerjotën

Sabah Kerjota ka zhvilluar një paraqitje fantastike në përballjen ndaj Monaco-s në UEFA Conference League, duke qenë protagonist me një gol dhe një asist, por kontributi i tij nuk ka mjaftuar që Hearts të shmangë humbjen.
Sulmuesi shqiptar e nisi ndeshjen në mënyrë spektakolare. Në minutën e 15-të, Kerjota dha asistin për Jordi Altena, i cili kaloi skuadrën skoceze në avantazh me një goditje të bukur nga distanca.
Monaco reagoi duke përmbysur rezultatin, por Kerjota nuk kishte thënë ende fjalën e fundit. Në minutën e 44-t, futbollisti shqiptar gjeti vetë rrugën e rrjetës, duke realizuar një gol që riktheu baraspeshën dhe ndezi shpresat e Hearts.
Monaco arriti të rikthente avantazhin në pjesën e dytë, ndërsa Hearts kërkoi deri në fund të shmangte humbjen. Kur ndeshja po shkonte drejt barazimit, Folarin Balogun shënoi golin e fitores në minutat shtesë, duke vulosur rezultatin 3-2 për skuadrën franceze.
Pavarësisht humbjes së Hearts, Sabah Kerjota ishte padyshim një nga protagonistët e mbrëmjes. Shqiptari konfirmon momentin e shkëlqyer që po kalon në Skoci, duke treguar se mund të bëjë diferencën edhe në përballjet europiane.




