Shqipëria gati për Kazakistanin, Edi Reja kërkon fitore në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve

Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë nesër me Kazakistanin , një nga ndeshjet më të rëndësishme të saj. Trajneri Edi Reja në konferencën për shtyp në prag të sfidës tha se grupi i skuadrës është më i plotë ndërsa kërkon që lojtarët të jenë më të saktë para portës.
EDI REJA
TRAJNERI I KOMBËTARES
“Para portës duhet që të jemi më konkret. Trajneri vetëm mund të përgatisë ndeshjen e që lojtarët të shkojnë para portës. Kemi pasur 10 raste në dy ndeshje por nuk kemi arritur të shënojmë, në këto dy ndeshje duhet shënuar se dëshira është të fitojmë ndeshjet e arrijmë vendin e parë. Për ta bërë duhet të konkretizojmë sidomos para portës. Urojmë të bëjmë gola, shpresoj. Kemi krijuar shumë raste e duhet çuar topi në rrjetë. Nuk ka titullarë fiks, mund të ndryshohet ndeshje pas ndeshje, e di që ka diskutime për modulin, por nuk mund të ndryshoj nga një javë në tjetrën”
Reklamë
Në konferencën për shtyp ishte dhe kapiteni i skuadrës Etrit Berisha i cili u shfaq besimplotë se skuadra do të marrë maksimumin nga dy takimet e radhës të vlefshme për Ligën e Kombeve.
ETRIT BERISHA
KAPITEN I SKUADRËS
“Me Kosovën morëm shumë sinjale pozitive, por tani duhen fitoret. Për mua nuk është e rëndësishme kush e ka shiritin e kapitenit, e rëndësishme është të jap maksimumin në fushë. Në Kazakistan kemi luajtur shumë mirë, por nuk na ndihmoi fati, ndërkohë që presim të jetë një tjetër pamje nesër në Tiranë. Trajneri mundohet të përgatisë ndeshjen në mënyrën e duhur, kështu që jemi gati”
Shqipëria do të ndeshet nesër me Kazakistanin dhe 3 ditë më vonë pret Bjellorusinë , dy sfidat e vlefshme për Ligën e Kombeve. Të dyja takimet do të luhen në stadiumin kombëtar në Tiranë.




