Një ditë pas konferencës së katër ndërqeveritare me BE, kryesocialisti Edi Rama ka folur sërish për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian duke theksuar se BE-ja shikon te Shqipëria një aktor me besueshmëri të lartë dhe protagonist të procesit të reformave.
“BE nuk të fal, nuk është në situatën e një bamirësi sepse me të drejtë kërkon që kë afron, ta ketë si veten, me standardet e veta. Nuk ka asgjë më të padiskutueshme sesa rezultatet e monitorimit të vazhdueshëm të BE-së, të tjerat janë muhabete pazari dhe dokrra. Po të ishim sado pak afër të vërtetës, gjithë ai llum që hidhet çdo natë në pjatat e shqiptarëve nuk do kishim shans të merrnim 2027 si afat për mbylljen e negociatave”, tha Rama.
Me ironi Rama komentoi edhe opozitën.
“Asnjë sondazh në asnjë ekran nuk e nxjerr dot kënetën jo përpara, por as afër nesh sa mund të flitet për ndonjë rikthim imagjinar të kënetës. Ka ikur historia e kënetës, është e mbyllur. Shqipëria në 6 muaj ka hapur 3 grupkapituj ka dhe 3. Me ndihmën tuaj ne nuk humbasim asnjë minutë dhe mbyllim negociatat. Bëhemi vendi që ka kryer negociatat më të shpejta. Na ndihmon edhe fati që na ka ardhur në dorë”, tha kryesocialisti.
Kryesocialisti dha një përgjgjie për rastin flagrant të arrestimit të një demokrati në Lushnje për shit-blerje të votës.
“Jo vlla nuk kemi lekë për vota se kemi bërë më parë, nuk e bëjmë sot. Pashë që kishin dalë ca që jepnin lekë, nga këto paratë e kënetës. Se këneta ka shumë para. E keni parë sa e ka paguar latifin, ku i gjejnë xhanëm. E keni parë latifin. Kam parë se ka dalë këneta me para, se kishin kap një zhapik andej nga Lushnja që jepte para për votën, askush mos ta bëjë këtë gabim, se është krim që ndëshkohet rëndë, nuk ja vlen fare”, tha Rama./vizionplus.tv