Shqipëria, barazimi me Ishujt Faroe nuk e zbeh festën/ Vendi i parë në grup është historik

Shqipëria e mbylli në krye grupin eliminator të Euro 2024. Kuqezinjve iu mjaftoi një pikë kundër ishujve Faroe në arenën kombëtare për të bërë histori.
Përfaqësuesja grumbulloi 15 pikë në 8 takime, mesatarja më e lartë e arritur ndonjëherë, duke kaluar kështu edhe 18 pikët e Edi Rejës, i cili i grumbulloi në 10 takime. Pavarësisht se edhe Çekia fitoi ndaj Moldavisë duke u barazuar me pikë me kuqezinjtë, Shqipëria falë 4 pikëve të grumbulluara në ndeshjet direkte siguroi vendin e parë.
Natyrisht shumëkush do të kishte shpresuar që viti i mrekullueshëm kalendarik i kuqezinjve, një eliminatore të mbyllej me fitore para 2 mijë tifozëve në arenën kombëtare të cilët dhuruan si zakonisht spektakël. Mirëpo barazimi i vakët pa gola në rezultat dhe sidomos në lojë e zbehu pak entuziazmin e madh të kualifikimit.
Rotacioni në gjysmën e formacionit nuk dha efektin e duhur, ndërsa edhe gabimet para portës në rastet që u paraqiten, dhanë efektin e tyre negativë.
Kështu ndodhi me Mirlind Dakun, Jasir Asanin, Bajramin dhe Uzunin. Ishujt Faroe ndonëse një rival modest paradoksalisht treguan më shumë dëshirë në fushën e lojës, luftuan fort për topin e parë dhe dëshmuan se diferencat në futbollin e sotëm nuk janë të mëdha nëse jep më të mirën në fushë.
Nordikët na rrezikuan ndjeshëm me dy raste në pjesën e parë, sidomos në fund me kokë, si për të na kujtuar se kjo kombëtare me të gjitha meritat që ka ,duhet të qëndrojë me këmbë në tokë në europian.
Atje ku tanimë presim të shohim se çfarë do të na rezervojë shorti. Ajo që dimë për momentin është se kombëtarja kuqezi është në vazon e dytë, për të tjerat duhet të presim.




