Në fjalimin e tij, në programin elektoral të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, Rama shpalli vizionin për “Shqipërinë 2030”, ku theksoi se paga mesatare do të arrijë të paktën 1200 euro. “Sot paga minimale është 440 euro dhe duke filluar nga janari 2026, e një vendim që do të merret pas zgjedhjeve, paga minimale do të jetë 500 euro,” deklaroi ai.
Kryeministri tha se paga mesatare e mësuesëve do të arrijë në 1250 euro ndërsa për mjekët 2000 euro.
“Të ardhurat për frymë në tre mandate i kemi trefishuar kur morëm detyrën, të ardhurat për frymë ishin 3324 euro, sot të ardhurat për frymë janë 10342 euro dhe në Shqipërinë 2030 të ardhurat për frymë do të 5-fishohen në raport me nga u nisëm dhe do të jenë 15 mijë euro.
Paga mesatare në sektorin publik ishte 372 euro. Sot, në vlerësimin e fundit të pavarur të bërë nga INSTAT-i të konfirmuar nga organizatat financiare ndërkombëtare, paga mesatare për vitin 2024 në sektorin publik u mbyll 1 mijë euro, ndërsa në Shqipërinë 2030, do të jetë të paktën 1200 euro.
Pagën mesatare të përgjithshme e rritëm më shumë se 2 herë e gjysmë dhe do ta rrisim të paktën 30% më shumë.
Kjo ishte paga mesatare. Kjo është paga mesatare. Paga mesatare e sektorit publik dhe privat bashkë, pra paga mesatare në Republikën e Shqipërisë. Kjo do të jetë paga mesatare të paktën 1 mijë euro.
Vazhdojmë me pagën minimale në vitin 2013, kur ne e morëm detyrën, paga minimale ishte 157 euro. Sot, 2024 u mbyll me pagën minimale 400 euro dhe duke filluar nga janari 2026 me një vendim që do të merret pas zgjedhjeve kur do të bëhet edhe akti normativ i qershorit, paga minimale do të jetë 500 euro.
Për të mbështetur punonjësit që do të përfitojnë nga kjo rritje e shpejtë e pagës minimale, sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t’u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t’u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh.
Kur morën detyrën, Prodhimi i Brendshëm Bruto, Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar, gjithçka që prodhonte Shqipëria ishte 9.6 miliardë euro, sot është 25 miliardë euro. E kemi rritur Prodhimin e Përgjithshëm dy herë e gjysmë. Shqipëria 2030 do të ketë një prodhim të përgjithshëm prej 35 miliardë eurosh”, tha Rama.
Kryeministri ka paraqitur arritjet dhe planet për reformën në arsim në Shqipërinë e vitit 2030. Ai theksoi se paga e mësuesve do të arrijë në 1250 euro deri në vitin 2030, nga 950 euro që është aktualisht. Rama gjithashtu njoftoi se gjatë mandatit të katërt të PS-së do të ndërtohen 200 shkolla të reja dhe se infrastruktura arsimore do të vazhdojë të përmirësohet.
Përsa i përket mjekësisë Rama tha:
“Paga e mjekësve ishte 490 euro, në 2024 mesatarja e pagës së mjekëve është 1670 euro. Në Shqipërinë 2023 ne duam që paga e mjekëve të shkojë 2000 euro.”
/vizionplus.tv





