Pritja e gjatë e Alvinit mes bombave dhe kaosit në kampet siriane ka marrë fund. Vogëlushi shqiptar më në fund është i lirë dhe së shpejti do ti bashkohet familjes së tij në Itali. Sikurse duket në këtë foto, ai është shoqëruar nga autoritetet e gjysmëhënës së kuqe siriane.

 

Afrim Berisha, babai i 11-vjeçarit ka konfirmuar për mediat se djali i tij është nisur nga Damasku drejt Libisë nga ku do të udhëtojë më tej për në Romë dhe pritet të mbërrijë këtë të premte. Operacioni për shpëtimin e Alvinit po kryhet nga Gjysmë Hëna e kuqe siriane dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ndërkohë që kanë qenë në kontakt me autoritetet italiane dhe ato shqiptare të niveleve më të larta.

 

Burimet bënë të ditur se në Siri ndodhet për këtë çështje edhe vetë ministri i brendshëm Sandër Lleshaj me një ekip të ngushtë oficerësh.

 

Historia e vogëlushit Alvin Berisha nisi 5 vjet më parë kur nëna e tij, Valbona një luftëtare e ISIS, e rrëmbeu atë drejt Sirisë. Ajo u martua me një pjesëtar të organizatës terroriste dhe lindi edhe 3 fëmijë të tjerë, por pas një sulmi me bombë humbi jetën, ndërsa Alvini u lëndua në këmbë.

 

Pas përpjekjeve të babait, Afrim Berisha i cili i kërkoi ndihmë emisionit italian Le Iene, vogëlushi u gjet në një kamp të burgosurish në pjesën kurde të Sirisë ku jetonin fëmijët dhe gratë e luftëtarëve të ISIS, por që fatkeqësisht nuk mund të shpëtohej prej aty.

 

Maratona e shpëtimit të Alvinit ka qenë një makth i vërtetë jo vetëm për vogëlushin dhe familjen e tij pas pengesave diplomatike dhe procedurave që zgjasin. Alvini fatmirësisht tashmë është I lirë por si ai ka edhe shumë fëmijë të tjerë që presin ti shpëtojë dikush nga vatra e luftës.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *