Një depo municionesh ka shpërthyer mbrëmjen e së martës në një bazë ushtarake në Ukrainën qendrore, duke detyruar evakuimin e rreth 30 mijë personave.

 

Autoritetet nuk kanë raportuar viktima, ndërsa banorët thanë se dy gra nga një fshat pranë zonës u dërguan në spital me plagë të shkaktuara nga shpërthimi i predhave.

 

Rreth orës 22 të mbrëmjes së të martës, banorët në afërsi të zonës u alarmuan nga shpërthimet e predhave dhe municioneve të tjera.

 

Sipas raporteve nga Ministria e Mbrojtjes, në depon e cila gjendet rreth 190 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Kiev, ishin magazinuar rreth 188 mijë tonë municione duke përfshirë raketa me sisteme të shumëfishta lëshimi.

 

Si një masë paraprake, autoritetet ukrainase kanë mbyllur hapësirën ajrore brenda një rrezeje prej 50 km të qytetit dhe 1000 forca zjarrfikëse janë ne gatishmëri për të parandaluar përhapjen e flakëve.

 

Zyrtarë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, thanë se po e trajtojnë zjarrin si një akt sabotimi.

 

Nuk dihet ende shkaku i shpërthimit ndonëse mediat lokale pretendojnë se ishte një zjarrvënie e qëllimshme dhe një mision i planifikuar me kujdes nga Rusia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *