ISIS ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e kësaj të enjteje në Kabul, ku të paktën 41 persona humbën jetën dhe të paktën 80 të tjerë mbetën të plagosur. Në mesin e viktimave ka shumë gra dhe shumë fëmijë.

 

Sipas Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, sulmi kamikaz ndodhi brenda një kompleksi ku ishin vendosur një agjenci lajmesh, një qendër kulturore dhe një shkollë fetare. Të paktën 100 persona ishin mbledhur në qendrën kulturore që i përket afganëve shiitë, për të shënuar përvjetorin e 38-të të pushtimit sovjetik të Afganistanit.

 

Ashraf Ghani, presidenti afgan, e quajti sulmin një “krim kundër njerëzimit”. Ai tha për mediat se “Terroristët kanë sulmuar xhamitë dhe vendet e shenjta, e tashmë po i drejtohen edhe qendrave kulturore”.

 

Sulmi goditi gjithashtu edhe një zyrë të agjencisë afgane të lajmeve. Komiteti për sigurinë e gazetarëve afganë dhe grupi për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka bërë thirrje qeverisë së Afganistanit për të marrë masa parandaluese për të mbrojtur mediat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *