Shpat Kasapi përcillet për në banesën e fundit me duartrokitje, artistë e familjarë i japin lamtumirën mes dhimbjes dhe lotëve

Ceremonia përkujtimore në nder të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi u mbyll mes emocioneve të forta dhe duartrokitjeve të gjata nga të gjithë të pranishmit.
Salla e Pallatit të Kulturës në Tetovë ishte mbushur plot, ku familjarë, miq, kolegë, figura publike dhe qytetarë u ngritën në këmbë për t’i bërë nderimet e fundit artistit që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.
Në përmbyllje të ceremonisë, ndërsa arkëmorti i mbuluar me flamurin kombëtar qëndronte në skenë, u dhanë fjalët e fundit përpara nisjes drejt varrezave: “Zoti e shpërbleftë me parajsë, dalëngadalë, po nisim rrugën për tek varrezat.”
Atmosfera ishte e rënduar nga dhimbja, por e mbushur me mirënjohje për jetën dhe kontributin e tij artistik. Duartrokitjet e të pranishmëve zgjatën për minuta të tëra, ndërsa shumë nuk i përmbajtën dot lotët.
Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor në moshën 40-vjeçare pas një sulmi në zemër.
/vizionplus.tv




