Policia Rrugore vijon me kontrolle intensive në të gjithë vendin. Gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar gjashtë shoferë të pabindur: tre për drejtim mjeti në gjendje të dehur, dy për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe një sepse shkeli semaforin dhe tentoi të korruptonte policin.

 

Duke përdorur radarë, dronë, alkooltestues, makina të paloguara, kamera dhe aparate fotografike, efektivët evidentuan shoferë që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionin nga 82 km/h në qendrat e banuara e deri në 175 km/h në rrugët interurbane.

 

Të tjerë u kapën duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi, duke përdorur celularin në timon, në gjendje të dehur apo duke kryer parakalime të rrezikshme.

 

“Janë pezulluar 48 leje drejtimi, nga të cilat 37 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 11 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 2212 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë”, njoftoi policia.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *