Subscribe

Shkollat do të hapen në shtator, pavarësisht situatës së pandemisë në vend. Lajmi u njoftua nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një dalje të posaçme.

Shahini tha se në ato klasa të arsimit parauniversitar ku ka shumë nxënës, do të zhvillohet mësimi me turne.

“Ne duam t’i hapim shkollat për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave që kanë shkollat. Në shkollat që kanë pak nxënës mësimi do vijojë normalisht, në shkollat me më shumë nxënës mësimi do të bëhet me turne, duke i ndarë nxënësit në grupe të vogla, në mënyrë që të ruhet distancimi mes tyre.”

Ndërsa Manastirliu deklaroi se parakusht është që të ruhet higjiena dhe të zbatohen masat anti-COVID.

 “Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjeno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike. Transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjenës dhe masa te tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si psh. në vendet e punës apo vendet argëtuese”.

Duke theksuar se qëllimi madhor mbetet siguria dhe shëndeti i fëmijëve, arsimtarëve, prindërve, gjyshërve dhe të gjithë qytetarëve, ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e çdo qytetari për zbatimin e rregullave që dikton normaliteti i ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *