SHBA përplaset me Rusinë në OKB

Përdorimi i armëve kimike dhe çështja Skripal ka shkaktuar një debat të ashpër në Këshillin e Sigurimit të OKB. Ambasadorja amerikane Niki Haley ka shkëmbyer akuza me homologun e saj rus duke e fajësuar Moskën për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare. Diplomatja amerikane deklaroi se administrata Trump qëndron në solidaritet absolut me Britaninë e Madhe, pas sulmit nervor kundër agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia është përgjegjëse për sulmin ndaj dy njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar duke përdorur një agjent nervor. Nëse ne nuk marrim masa konkrete për të trajtuar këtë rast, Salisbury nuk do të jetë vendi i fundit ku janë përdorur armë kimike. Mund të përdoren edhe këtu në Nju Jork ose në qytete të çdo vendi që është anëtar në këtë këshill”.
Rusia i ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur “përralla” dhe mohoi përfshirjen në sulmin ndaj Skripal dhe vajzës së tij.
Ambasadori i Moskës në OKB, Vassily Nebenzia, bëri përgjegjëse për sulmin Britaninë e Madhe, në një përpjekje për të sulmuar Moskën.
Ai i bëri thirrje Londrës që të ofrojë dëshmi se u përdor agjenti kimik Novichok dhe se Rusia ishte përgjegjëse. Diplomati gjithashtu akuzoi kryeministren Theresa May për papërgjegjshmëri.
Ndërkohe, Shtëpia e Bardhë mbështeti komentet e Haley në KS, duke thënë se ky veprim i fundit i Rusisë shpërfill rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare, minon sovranitetin dhe sigurinë e vendeve në mbarë botën dhe përpiqet të shkatërrojë dhe diskreditojë institucionet dhe proceset demokratike perëndimore.
Përplasjet duket se do të vazhdojnë edhe në javët e ardhshme. Ndërsa Britania është në gjendje alarmi, ka vendosur të shtojë masat e sigurisë duke ndërtuar një qendër të mbrojtjes nga armët e reja kimike. Ndërkohë ekspertët thonë se Britania do të mbetet në mëshirën e Rusisë sa i takon furnizimit me gaz, në kohën kur temperaturat pritet të ulen ndjeshëm dhe rezervat europiane të gazit kanë pësuar rënie.




