E mërkurë, 23 Shtator 2026 Lajmet e Fundit deri në 03:15 Në vijim ora 03:15: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

Stop mishit nga Brazili, a do të ketë rritje çmimesh pas vendimit?

Nga Mimoza Ibra

“Prej 3 shtatorit, një prej furnizuesve më të mëdhenj të mishit në tregun shqiptar nuk është më në listë. Brazili nuk mund të sjellë më mish në Shqipëri, pas vendimit të Bashkimit Europian dhe zbatimit të tij edhe nga autoritetet shqiptare. Por pas këtij vendimi qëndrojnë disa pyetje: A kemi të bëjmë me një masë të përhershme apo një vendim që mund të rishikohet? Cili shtet do ta zëvendosjë Brazilin apo ky është një moment që mund të shfrytëzohet nga fermeri shqiptar? Dhe mbi të gjitha a do të jetë më i sigurt mishi në tryezë dhe sa do të paguajë konsumatori për të?

Në tregun vendas ka hyrë mish nga Brazili prej 20 vitesh, që përbënte rreth 30% të tregut të importit. Vetëm në vitin 2025, Shqipëria importoi mbi 12 mijë ton mish nga Brazili.

Pas vendimit të BE për ta hequr Brazilin nga lista fshihet shqetësimi mbi përdorimin e substancave veterinare që rrisin masën muskulare të kafshëve. Por a do të thotë kjo se mishi i Brazilit që është konsumuar deri dje ka qenë i pasigurt? Ministria thotë “JO”.

Reklamë

“Kemi importuar mish nga shteti i Brazilit, nga stabilimente të certifikuara, në mënyrë të sigurt. Këto stabilimente kanë qenë të audituara dhe të certifikuara nga ekspertiza e BE. Janë dhënë garanci të duhura që këto produkte të mishit, gjedhit dhe shpendëve, të importoheshin edhe në shtetet anëtare. Në detyrimet që Shqipëria ka për përmbushjen e standardeve dhe rekomandimeve të komisionit, ky është parë si një veprim i duhur që të shkojmë me rekomandimt dhe veprimet e shteteve anëtare, pa pritur që të bëhemi shtet anëtar, por për ti tregtrur BE që ne ndjekim rekomandimet e tyre, pa u bërë shtet anëtar”, thotë Tana Kika, zv.ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Brazili nuk ishte thjesht një emër në faturën e importit. Ishte pjesë e zinxhirit të furnizimit të industrisë ushqimore me një çmim të ulët. Alternativat e importit ekzistojnë, por kostoja e importit prej këtyre shteteve e tejkalon atë të Brazilit. Dhe një kilogram mish më i shtrenjtë futet në koston e një sanduiçi, një pjate restoranti, një produkti sallamerie dhe në fund, në faturën që paguan konsumatori.”

“Kjo do të japë një efekt të menjëhershëm sepse do të ketë një rritje të çmimeve. Ky mish përdoret edhe si lëndë e parë në industrinë e sallamerisë dhe si produkt final në industrinë e bareve, restoranteve dhe hoteleve. Do të ketë një rritje që mendoj do të jetë nga 20-30%, si pasojë e reflektimit të tregut, që do të thotë spostophet tregu drejt tregjeve të Maqedonisë, Greqia, Mali i Zi dhe ky reflektim, kjo qasje e këtyre tregjeve do të ketë edhe këtë reflektim në tregun vendas. Nga këto tregje importojmë me një kosto mestaraisht 30-35% më lart se Brazili, por kjo kosto e rritur shoqërohet edhe me një cilësi më të lartë”, thotë Enri Jahaj, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve.

Në çdo rast, nuk bëhet fjalë vetëm për çmim, por edhe më shumë standard dhe siguri ushqimore.

 “Është Argjentina, Peruja, por ne po ndalojmë standardin. Që do të thotë nuk është çështje monopolosh, nuk është çështje preferencash. Nuk është gjithmonë çmimi, problemi është standardi”, thotë Jahah.

Në teori, boshllëkun e Brazilit mund ta mbushë, të paktën pjesërisht, edhe fermeri vendas.Por në praktikë, rruga është shumë më e vështirë. Një fermer nuk mund të shtojë bagëtinë, të rrisë prodhimin dhe të ndërtojë kapacitetet e përpunimit nga një ditë në tjetrën. Nëse kjo masë do të kthehet në mundësi për fermerin shqiptar, ajo kërkon politika që ulin kostot, rrisin produktivitetin dhe garantojnë një treg ku fermeri ka interes të prodhojë për mish.

“Historikisht kostoja e mishit në Shqipëri nuk ka qenë në nivelet e vendeve të tjera. Nga kjo pikëpmaje, te kostoja ne kemi patjetër një problem për të zgjidhur. Kostoja është e rritur, Brazili prodhon me kosto më të lirë sesa prodhojmë ne. Për herë të parë, sivjet u fut te skema kombëtare subvencioni për mishin e derrit, pra për dosat. Ky ishte hapi i parë, duhet futur subvencioni për viçat, qengjat, për mish. Duhet ndryshuar koncepti që ne kemi për shtimin e krerëve, nuk duhet t’i shtojmë krerët vetëm për prodhim qumështi, potr edhe për prodhim mishi”, thotë Agim Rrapaj nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar.

“Ministria e Bujqësisë në mënyrë të vazhdueshme ka pasur fokus të veçantë te produkti vendas, duke promovuar dhe mbështetur me skema të ndryshme. Duhet rritur produktiviteti dhe konkurrueshmëria, një ndër masat që kemi marrë tani, pezullimi i importit të mishit, është një mjet efikas për të rritur besueshmërinë e prodhimit shqiptar në tregun europian dhe në tregun e brendshëm”, thotë Kika.

“Përtej faktit me të cilin po përballemi sot në treg, rregullat e lojës mund të ndryshojnë shpejt dhe marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë e Brazilit për importin e mishit mund të rikthehen.”

 “Jemi të prirur dhe të angazhuar që të ndjekim të gjitha vendimet e BE, qoftë për pezullim, qoftë edhe nëse pas auditimeve të vazhdueshme dhe shkëmbimeve të trupave tekbnike që ata janë duke kryuer për adresimin e gjetjeve për përdorimin e antibiotikëve, sigurisht që stabilimentet e certifikuara të Brazilit janë angazhuar për të përmbushur kërkesën e re të BE dhe për të garantuar rihapjen e këtij procesi importi. Nuk ka ende një datë për këtë, por ne do të ndjekim të gjitha rekomandimet e Komisionit Europian, qoftë për pezullimin, qoftë edhe për vendimet që do të merren në vazhdim”, thotë Kika, zv.ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Nëse vendimi europian rishikohet dhe Brazili plotëson kërkesat për t’u rikthyer në treg, edhe Shqipëria mund të përballet sërish me të njëjtën konkurrencë. Por, kur Brazili të kthehet, koha do të tregojë nëse ai do ta gjejë tregun shqiptar po aq të varur nga mishi i importuar, apo do të ketë përballë një fermer vendas më të fortë.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.