Departamenti amerikan i shtetit ka mbështetur aksionin e policisë shqiptare në kampin e muxhahedinëve iranianë në Manzë të Durrësit, që u zhvillua një ditë më parë nën dyshimet për krime me natyrë terroriste dhe krime kibernetike. Një zëdhënës i DASH ka thënë se Shqipëria ka të drejtë të hetojë çdo veprimtari brenda territorit të saj.
“Policia shqiptare na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjin. Ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme, që është e paligjshme brenda territorit të saj. SHBA nuk e sheh MEK-un si një lëvizje të qëndrueshme demokratike, që përfaqëson popullin iranian. Departamenti i Shtetit ka shqetësime serioze për organizatën e MEK, përfshirë edhe akuzat për abuzime të kryera kundër anëtarëve të saj. Qeveria e SHBA nuk ofron asnjë trajnim ose mbështetje për MEK, nuk kontribuon me fonde dhe nuk mban kontakte thelbësore përveç çështjeve, që kanë të bëjnë me zhvendosjen e MEK, gjë e cila është përfunduar në vitin 2016.”
Një ditë më parë, me urdhër të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, forca të shumta policore mësynë në kampin “Ashraf 3” të muxhahedinëve në Manzë për të kryer kontrolle. Policia sekuestroi kompjuterë dhe serverë, për të cilët ka dyshime të forta se janë përdorur për të kryer sulme kibernetike ndaj institucioneve të huaja.