Deklaratat e fundit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që shprehin pakënaqësinë për vonesat në ndihmën ushtarake të SHBA-së për Izraelin janë thellësisht zhgënjyese dhe sigurisht ofenduese, sipas Shtëpisë së Bardhë.

“Këto komente ishin thellësisht zhgënjyese dhe sigurisht fyese për ne, duke pasur parasysh gjerësinë e mbështetjes që kemi dhënë dhe do të vazhdojmë të ofrojmë,” tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Asnjë vend tjetër nuk po bën më shumë për të ndihmuar Izraelin të mbrohet kundër kërcënimit të Hamasit dhe kundër kërcënimeve të tjera rajonale,” shtoi ai.

Në një video që postoi dy ditë më parë në rrjetin social X, Netanyahu shprehet se e ka të paimagjinueshme që gjatë muajve të fundit qeveria amerikane të “ngrijë” dërgimin e armëve dhe municioneve për Izraelin.

Kreu i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, shpjegoi nga ana e tij se SHBA vazhdon të marrë në konsideratë një dërgesë specifike të bombave në Izrael, e cila ishte pezulluar për shkak të frikës se armët mund të përdoren në Rafah, dhe se pavarësisht kësaj, të gjitha misionet e tjera të ndihmës ushtarake kryhen si normalisht.

John Kirby tha gjithashtu se këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan do të takohet sot me homologun e tij izraelit Tchai Hanegbi, si dhe Ron Dermer, ministrin e çështjeve strategjike të Izraelit./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *