Kina ka vendosur të rrisë ndjeshëm blerjet e mallrave dhe shërbimeve amerikane në mënyrë që të zvogëlojë disbalancimin e tregtisë mes dy vendeve, krijuar pas “luftës tregtare” për shkak të rritjes së tarifave të aluminit dhe çelikut nga administrata Trump.

 

Vendimi vjen pas një raundi dy ditor bisedimesh tregtare të zyrtarëve të lartë kinezë në Washington.

 

“Për të plotësuar nevojat në rritje të konsumit të popullit kinez dhe nevojën për një zhvillim ekonomik të cilësisë së lartë, Kina do të rrisë ndjeshëm blerjet e mallrave dhe shërbimeve të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

 

Bisedimet për më shumë bashkëpunim vijnë pasi SHBA dhe Kina, kanë kërcënuar rritjen e taksave në miliarda dollarë për mallrat e eksportit, gjë e cila mund t’i çonte dy vendet në një luftë tregtare, pasojat e së cilës do të rriteshin ndjeshëm edhe në Europë.

 

Dy ekonomitë më të mëdha në botë u përfshinë në një retorikë të ashpër mes tyre, pasi presidenti amerikan Donald Trump, propozoi në muajin mars rritjen e taksave mbi eksportet kineze me qëllim mbrojtjen e prodhuesve amerikanë. Nga ana tjetër Kina paralajmëroi hakmarrje duke rritur taksat për artikujt amerikanë, gjë e cila detyroi kreun e Shtëpisë së Bardhë të  niste bisedimet me Pekinin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *