Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar Rusinë për “pasoja të jashtëzakonshme” në rast të ndonjë agresioni ushtarak ndaj Ukrainës dhe kanë bërë thirrje për kthim në diplomaci për të ndalur tensionet.

 

 

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha gazetarëve më 17 dhjetor se SHBA-ja dhe Evropa po përgatisin një listë masash për ta ndëshkuar Rusinë, nëse Kremlini ndërmerr veprime ushtarake kundër fqinjit të tij, Ukrainës.

 

Raportohet se Rusia aktualisht ka rreth 100 mijë trupa të grumbulluar afër kufirit me Ukrainën. Një veprim i tillë është cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si një mundësi e pushtimit të Ukrainës.

 

Rusia kishte sulmuar Ukrainën në vitin 2014, duke aneksuar ilegalisht rajonin e Krimesë dhe duke mbështetur rebelët në dy provinca lindore të Ukrainës në një luftë që la të vrarë të paktën 13,200 njerëz që nga prilli i atij viti.

 

“Nëse ka ndonjë agresion të mundshëm kundër Ukrainës, kjo do të ketë pasoja të jashtëzakonshme dhe do të ketë një çmim të lartë”, tha zyrtari amerikan.

 

“Rezultatet do të jenë shumë të rënda për Federatën Ruse”, shtoi ai.

 

Sipas tij, masat që po shqyrtohen janë kryesisht ekonomike dhe financiare, mirëpo na ka dhënë detaje.

Këto komente të SHBA-së vijnë pas komenteve të bëra nga liderët evrpianë një ditë më parë në një deklaratë të përbashkët në fund të samitit njëditor në Bruksel.

“Çdo agresion i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës, do të ketë pasoja dhe kosto të rënda” , thanë liderët e BE-së në deklaratën e tyre.

Rusia ka mohuar se po planifikon të pushtojë Ukrainën. Megjithatë, forcat ruse vazhdojnë të jenë pranë kufirit me Ukrainën, bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg më 16 dhjetor.

 

“Ne nuk po shohim asnjë shenjë se forcat po largohen nga kufiri. Përkundrazi, grumbullimi i tyre po vazhdon”, tha ai gjatë një konference të përbashkët me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në selinë e NATO-s.

 

Zelenskiy i bëri thirrje Perëndimit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për të penguar Kremlinin nga veprimet ushtarake kundër vendit të tij./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *