Të paktën 34 persona mbetën të vdekur dhe mbi 100 të tjerë u plagosën nga një sulm rus me raketa në qytetin Sumy të Ukrainës. Për ngjarjen reagoi menjëherë Presidenti amerikan, Donald Trump.
“Unë mendoj se ishte e tmerrshme, por ata më thanë se bënë një gabim,” tha Trump.
Nga ana tjetër, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ftoi Trump-in të vizitojë vendin e tij.
“Ju lutem, përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj forme negociatash, ejani të shihni njerëz, civilë, luftëtarë, spitale, kisha, fëmijë të shkatërruar ose të vdekur,” u shpreh Zelensky.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi sulmin si barbar, ndërsa premtoi se Bashkimi Evropian do të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë.
“Nevojiten urgjentisht masa të forta për të zbatuar një armëpushim. Evropa do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët dhe do të ushtrojë presion të fortë ndaj Rusisë, derisa të përfundojë gjakderdhja dhe të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme,” deklaroi Ursula von der Leyen.
Kancelari gjerman Merz, i cili pritet të marrë detyrën së shpejti, e konsideroi sulmin si një krim lufte të qëllimshëm. Ndërsa Presidenti francez, Emmanuel Macron, akuzoi Rusinë për “mospërfillje të hapur ndaj jetëve njerëzore, ligjit ndërkombëtar dhe përpjekjeve diplomatike të Presidentit Trump.”
Kryeministri britanik, Keir Starmer, u shpreh se ndihet i tmerruar nga sulmet ruse ndaj civilëve në Sumy.
/vizionplus.tv





