Partia Socialiste ka hapur sot zyrtarisht fushatën elektorale në sheshin “Skënderbej”, në një tubim ku çdo drejtues qarku mbajti një fjalim të shkurtër përshëndetës. Eduart Shalsi, drejtuesi politik i qarkut të Kukësit, në fjalën e tij ka theksuar përpjekjet e PS për të transformuar këtë zonë, duke përmendur përmirësimet e dukshme që kanë prekur Kukësin, Hasin dhe Tropojën.
Shalsi u ndal gjithashtu tek një moment simbolik, duke thënë se “Edi Rama ka çuar ujësjellësin deri në Viçidol”, një fshat i njohur për lidhjet e tij me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën. Ai theksoi se ky investim është një shembull i ndryshimeve të prekshme që kanë ndodhur në këto zona, duke pasur parasysh se dikur Kukësi ka qenë i njohur për kushtet e vështira dhe infrastrukturën e dobët.
Nuk kemi parë kurrë më të ndritur këtë shesh, më optimist dhe shpresëdhënës. Teksa po qëndroja , më kujtohet Rama nga kati i dytë i bashkisë shikonte sheshin dhe thoshte ky shesh nuk e meriton emrin e heroit kombëtar. Ne fakt historia e këtij sheshi është histori e tranzicionit shqiptar, nga kioskat të fillim viteve ‘90 dhe projekti i atyre që sot janë shndërruar në disa parti apo copëtuar në disa parti që po u shesin shqiptarëve alternativa të reja. Por ja ku jemi sot, ky shesh është epitomë e modernizimit dhe evropianizimit të Shqipërisë, të cilën idenë Rama e ka patur shumë vite më parë. Jam i emocionuar si asnjëherë tjetër dhe kam provuar disa krahina në shërbim. Qarku i Kukësit nuk është një krahinë, por është zemër, histori dhe traditë.
Ne u përshëndesim dhe iu përcjellim edhe atyre tropojanëve, hasjavë dhe kuksjanëve që nuk mund të vinin këtu. Kukësi ka provuar mikpritje të jashtëzakonshme për vëllezërit dhe motrat tona kosovare. Jam realisht me një barrë të rëndë përgjegjësie për të drejtuar politikisht këtë qark nga Tropoja, Hasi e Kukësi ka filluar edhe transformimi. Mbaj mend Kukësin vite më parë, qyteti brenda baltë, shkova pas disa vitesh në Tropojë dhe nuk e njoha Tropojën…Të dashur miq, motra, gratë e mbledhura në pallatin e Kulturës së Hasit, nuk patëm mundësi të komunikomin, por kryeministri na përcolli një mesazh dhe ne thamë që ai kryeministër që ka bërë për gratë e këtij vendi, meriton që ju të ktheheni me dy mandate që edhe Kukësi, si gjithë Shqipëria t’i japë një mesazh të fortë Evropës. “, u shpreh Shalsi
Ai gjithashtu kujtoi se transformimi i Kukësit dhe i rajonit ka nisur disa vite më parë, kur kushtet e jetesës dhe infrastruktura ishin në nivele të ulëta, duke theksuar se puna e Partisë Socialiste ka sjellë ndryshime të prekshme për qytetarët.
/vizionplus.tv





