Prioriteti kryesor i tre deputetëve që dolën nga Lista e Bashkuar e Luginës së Preshevës është që të garantojnë më shumë të drejta për shqiptarët në këtë rajon.

Kreu i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi deklaroi për “Vizion Plus” se duhet që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejta të barabarta me serbët në Kosovë.

“Ne së pari shpresojmë që këto bisedime të mbahen pavarësisht rrethanave të reja që u krijuan në Kosovë dhe ndërhyrjes së vrazhdë që bëri gjykata. Ne besojmë se SHBA do të jenë të gatshme të nisin një dialog të ri mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur përfundimisht një zgjidhje dhe për ta qetësuar këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët e Luginës së Preshevës presin nga qeveria në Prishtinë  që temën e Luginës së Preshevës, respektivisht të drejtat e shqiptarëve në frymën e një parimi të reciprocitetit të të drejtave të serbëve në Kosovë, t’i shtrojnë në tavolinën e bisedimeve. Të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.”

Shaip Kamberi shtoi se në Parlament do të luftojnë shumë fort për këtë qëllim, duke shfrytëzuar çdo mekanizëm.

“Pjesëmarrja jonë në këto zgjedhje parlamentare ka për qëllim të përdoren të gjitha mekanizmat institucionalë që kemi në dispozicion për të përmirësuar pozitën ë shqiptarëve në këtë rajon. Ne kemi problem të shumta, që nga mos-njohja e diplomave, pjesëmarrjes në institucionet publike, deri edhe tek zhvillimi ekonomik.Megjithatë, dëshira e shqiptarëve është për t’u bashkuar me Kosovën. Në vitin e fundit, debatet në Kosovë nuk treguan një disponim, një konsesus të plotë politik që do të kërkonte që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën. Prandaj ne kemi kërkuar reciprocitetin me të drejtat e serbëve në Kosovë. Në mënëyrë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të ndjehen të sigurtë. Përndryshe ne rrezikojmë të humbim shumicën e popullsisë këtu dhe që ta kemi në diasporë.”

Tre shqiptarë të Luginës së Preshevës do të ulen në Parlamentin e Serbisë. Koalicioni Alternativa Demokratike shqiptare ia ka dalë të sigurojë 3 deputetë në zgjedhjet e 21 qershorit.

Lista e Bashkuar konfirmoi se fitorja erdhi si rezultat i një bashkëpunimi të partive shqiptare me Tiranën dhe përkrahjen e Prishtinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *