Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli akuzoi liderin e opozitës, Lulzim Basha se ka bërë marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Topallit, ky pakt konsiston në faktin që Basha refuzoi të vendoste në krye të KQZ zv/kryeministrin e PD, Ilir Rusmajli dhe ra dakord për ministrin e Ramës, Ilirjan Celibashi.

 

“Para dy ditësh në Parlament, Rama në marrëveshje me Bashën votoi emrat e KQZ së re. Sikur Basha të kishte kontestime për ndryshimet kushtetuese apo për mbylljen e listave përmes hapjes së rreme, ky i fundit nuk do të kishte dërguar në Kuvend emrat e tij. (Emra që morën votën e Ramës). Përkundrazi, ata ishin në sintoni për çdo gjë. I vetmi kontestim që Basha kishte ishte Ilir Rusmajli. Në një akt të turpshëm, Basha votoi ministrin e Edi Ramës dhe rrëzoi zëvendës kryeministrin e Partisë Demokratike. Ilir Rusmajli është njohësi më i mirë i zgjedhjeve, është profesor i të Drejtës Kushtetuese. Ai i është bashkëngjitur Partisë Demokratike që prej 3 dekadash. Në ndër mendjet më brilante të kesaj partie”, u shpreh Jozefina Topalli në “Facebook”.

 

Ajo deklaroi se Rama dhe Basha në këtë mënyrë po përpiqen të ruajnë karriget e tyre.

 

“Votimi i Bashës për ministrin e Ramës më kujtoi marrëveshjen e 2017 kur LB detyroi grupin parlamentar të votojë listën e vetingut që fillonte nga Ina Rama deri tek militantët më famos të Kryeministrit. Sa bukur merren vesh shahistët për t ruajtur karriget e tyre. Meritokracia, vlera, parimet e dija nuk kanë asnjë vlerë për ta!”

 

Ilirjan Celibashi u emërua në krye të KQZ të hënë, kur deputetët votuan me 106 vota pro për të. Këtë të mërkurë, Klement Zguri i dorëzoi detyrën atij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *