Një ditë pas takimit të kreut të qeverisë, Edi Rama me shqiptarët në Athinë, mediet greke kanë analizuar fjalimin e tij.

“Në një sulm haptazi racist kundër vendit ku u mbajt fjalimi i tij parazgjedhor dhe ku jetojnë e punojnë mijëra bashkatrdhetarë të tij”, thuhet ndër të tjera në artikullin e medies greke.

Lexo edhe :

Related Posts

Fjalimi i Ramës zgjati mbi një orë dhe u mbaj në stadiumin “Galatsi”, i cili ishte i mbushur plot me shqitarë, të cilët mbanin në duar flamujt kuq e zi.

Artikulli i medies greke

Rama ishte në Athinë për të folur me bashkatdhetarët e tij, në kuadër të zgjedhjeve në vend vitin e ardhshëm. Në fjalën e tij, ai bëri referenca të gjera për vështirësitë me të cilat përballen ata që emigruan, sidomos në vitet e para, në Greqi, ndërsa siç pohoi ai nuk erdhi për të provokuar.

Megjithatë, ai ishte provokues dhe i pa penduar. Duke iu referuar racizmit që ai tha se kanë përjetuar emigrantët shqiptarë, ai theksoi se “ju përballeni me të gjitha llojet e shprehjeve brutale të arrogancës nga fqinji i pasur te fqinji i varfër”.

Edi Rama nxiti nacionalizmin shqiptar, duke shkuar deri aty sa iu referua çamëve dhe akuzoi Greqinë për urrejtje dhe sjellje raciste ndaj bashkatdhetarëve të tij.

Ai paralelizoi dëbimin e emigrantëve shqiptarë me çamët, duke vënë në dukje se “ju jetuat poshtërimin e operacioneve të “fshesës” në fund të shekullit të 20-të, kur natën ju morën nga shtëpitë me rroba për t’u dëbuar në Shqipëri. Keni bërë 2-3 punë ditore pa ndërprerje, duke ngrënë një vakt në ditë”.

Edi Rama duke nisur nga fillimi i është përgjigjur mesazhit paralajmërues të Fredi Belerit se “ka ardhur në Greqi për të provokuar”, duke thënë: “Nuk kam ardhur për të provokuar, kam ardhur të takoj njerëzit e mi”.

Më pas ai ka dhënë një përgjigje indirekte për Athinën dhe gjithashtu për atë që tha Fredi Beleri për vizitën e tij në Greqi.

“Disa ishin të mërzitur. Disa njerëz u çmendën. Disa thanë se nuk duhej të kisha ardhur. Por ky tubim nuk është bërë për të provokuar. Është bërë për t’u takuar me njerëzit e mi dhe jo me shërbëtorët”, tha Edi Rama, duke nënkuptuar Fredi Belerin.

Fredi Beleri nga burgu i Fierit dërgoi mesazhin e mëposhtëm: “Ai dëshiron të provokojë Greqinë, të bëjë një shfaqje force brenda Shqipërisë dhe të ulë moralin e grekëve në rajon. Ai nuk do t’ia dalë. Askush nuk mund të luajë me krenarinë dhe dinjitetin e helenizmit”, tha në mesazhin e tij kandidati për eurodeputet.

“Ne ndryshuam emrat dhe fenë tonë për t’u pranuar. Shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuan kurrë. Luftuam që të mos jemi më të huaj në këtë vend. Ne luftuam dhe fituam. Grekë dhe shqiptarë, ne jemi evropianët e Greqisë. Morëm shtëpi, biznese dhe paguajmë taksa”, vazhdoi Rama.

“Shqiptarët e Greqisë nuk do ta kthejnë kurrë kohën pas. Ashtu si Greqia ka nevojë për shqiptarët, ashtu edhe shqiptarët kanë nevojë për Greqinë. Dashuria mes grekëve dhe shqiptarëve duhet të ekzistojë sepse ne jetojmë këtu”.

Marrëzia e kryeministrit shqiptar nuk u ndal me kaq.

Ai i kushtoi kryeministrit grek vargje të poetit të mirënjohur shqiptar Naim Frashëri: “Të mos bëhemi armiq dhe të luftojmë…”.

Në fund të fjalës së tij gjatë takimit me emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, Edi Rama tha:

“Kërkoj falje për çdo gabim që mendoni se kam bërë, por nuk i kam tradhtuar asnjëherë ata që më besuan votën e tyre, as edhe një herë për këtë nder të jashtëzakonshëm. Nuk ka nder më të madh për një njeri në jetën e tij të udhëheqë vendin e tij. Nuk ka fuqi materiale, ekonomike, financiare, person apo shtet që mund të më tundojë apo të më bëjë presion për të vepruar pas shpinës tuaj dhe për të shkelur interesat. Kjo ishte vizita ime më e bukur në Athinë dhe nuk besoj se do të ketë më të bukur”.

“Dëshiroj t’i dërgoj një mesazh në emrin tuaj mikut tim, i cili u zgjodh nga populli i këtij vendi për të udhëhequr Greqinë, kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Në vitin 1886 poeti ynë Naim Frashëri shkroi poezinë e tij në greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. Le të jetojmë me të gjithë fqinjët në rregull dhe paqe, të mos bëhemi armiq dhe të luftojmë. Shumë faleminderit nga unë dhe nga shqiptarët e Greqisë”, tha ai duke përfunduar fjalën e tij dhe duke dëshmuar edhe një herë se mbetet sfidues i papenduar./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *