Nga Elda Canaj
Anila Hoxha, nëna e Irisit, vajzës 13 vjeçare me Sindromën Down në një rrëfim për Vizion Plus tregon se sfidat e përditshme që hasin janë të mëdha, ndërsa mbështetja që u jepet nga shteti është shumë e kufizuar.
“Sfidat për ne prindërit që kemi fëmijë me aftësi të kufizuara janë të mëdhaja, një ndër to është problemi i mësuesit ndihmës, problem aktual për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara. Orari shumë i shkurtër, vetëm dy orë në ditë, një prind me aftësi të kufizuara duhet ta ketë gjatë gjithë ditës mësuesin mbështetës, sfidë është edhe pagesa shumë e pakët që shteti ofron për këta individ. Është shumë e vështirë të kesh një fëmijë me aftësi ndryshe në shtëpi ti përballosh vetë me të ardhurat që kemi ne”, tha Anila Hoxha.
Flavia Shehu, një aktiviste që ndihmon personat me aftësi të kufizuara, thotë se ata nuk marrin shërbimet e nevojshme.
“Aksesi në shërbime, të gjithë prindërit duhet të referohen në shërbime dhe të zgjerohen në mënyrë sa më të shpejt të mundshme edhe për të gjithë fëmijët që jetojnë në zonat rurale të cilët nuk aksesojnë dot shërbimet. Përveç aksesit të shërbimeve është edhe rritja e cilësisë së shërbimeve i cili është faktori kyç më i madh në ecurinë e fëmijë për gjatë gjithë jetës së tyre. Ka shumë persona me aftësi të kufizuara të cilët janë në moshë adulte për të cilët nuk ka shërbime mbi moshën 21 vjeç. Të gjithë familjet të cilët kanë fëmijë me aftësi të kufizuara në familjet e tyre nuk kanë shërbime ku të dërgojnë familjarin e tyre”, deklaroi Flavia Shehu.
3 dhjetori shënon dhe ditën botërore të personave me aftësi të kufizuar, me qëllim përfshirjen e tyre në shoqëri dhe të drejta të barabarta në sfera të ndryshme.





