6 muaj nga vendimi për të hapur sportele në bashkitë e vendit, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve për të nxitur më tej legalizimin e objekteve pa leje, rezultatet duket se janë të vakta. Ekspertët për çështjet vendore janë të mendimit se hapja e sporteleve ishte një nisëm pozitive, por efektiviteti i tyre shoqërohet me skepticizëm, pasi dosjet e mbetura pezull tashmë janë në kadastër.
Nga të dhënat që unë kam si dhe kontaktet me bashkitë në vend më rezulton se 6 muaj nga përfshirja e bashkive si aktor në procesin e legalizimeve, nuk jemi aty ku duhet më këtë proces. Kjo mjafton të shohim shifrën prej 240 mijë objektesh pa leje që kanë mbetur ndër vite, shifër e cila nuk ka pësuar ulje të ndjeshme. Ndërkohë që mendoj se në këto 6 muaj bashkitë kishin kohën e mjaftueshme që të evidentonin realitetin për këto objekteve në proces legalizimi dhe të ofronin zgjidhje, tha Agron Haxhimali, ekspert per çështjet vendore.
Sipas Haxhimalit, rreth 240 mijë objekte që janë në proces legalizimi, janë procedura komplekse, me mangësi dokumentacioni, dhe me paqartësi në titujt e pronësisë. Ndaj roli i bashkive është vetëm suportues, por zgjidhjen e jep vetëm kadastra.
“Mendoj se bashkitë do të duhet të ishin më nxitëse në këtë drejtim. Dosjet e legalizimeve të mbetura pezull janë shumë komplekse. Për shkak të trajtimit që i është bërë pronave ndër vite, për shkak të mos përfundimit të kadastrës fiskale , mbivendosjes së pronave dhe paqartësive në titujt e pronësisë kanë bërë që ky proces të mos avancojë”, tha Haxhimali.
Sipas ligjit, në vitin 2028 procesi i legalizimit të objekteve pa leje duhet të mbyllet. Por sipas të gjitha gjasave dhe ecurinë e deritanishme, ekspertët e fushës e shohin të pamundur realizimin e këtij objektivi.
/vizionplus.tv