Subscribe

Zyrtarisht jemi në sezonin turistik, por ky duket se do të jetë i papërballueshëm nga sektori privat, pasi kërkesa nga të huajt eshtë më e lartë se oferta vendase.

 

Fatos Çerenishti, një nga operatorët më të mëdhenj në Durrës, duke komentuar për sezonin turistik në emisionin E-ZONE thotë se vendi ende nuk ka kapacitete  mjaftueshëm për të pritur këtë bum turistësh

 

“Ne këtë vit po përballemi me një kërkesë të cilën nuk e përballojmë dot. Nuk kemi shtretër mjaftueshëm. Të dhënat tona për qytetin e Durrësit flasin se kemi 20% më shumë prenotime se një vit më parë. Polakët janë turistët që do të dominojnë edhe këtë sezon”, u shpreh Çerenishti. 

 

Vlora qyteti me peshë të konsiderueshme në turizëm, për të dytin vit me radhë ka një miks turistësh, ku dominojnë ata nga Europa. Spanjollët janë risi për këtë sezon të cilët kanë rritur  prenotimet për të pushuar në Vlorë. Por Vasil Bedinaj nga operatorët tutistikë të Vlorës thotë se çmimet do të jenë më të shtrenjta këtë sezon.

 

“Unë mendoj se  këtë vit nuk do të kemi rritje çmimesh më shumë se 15%. Ky shtrenjtim do të vij si pasojë e rritjes së pagës minimale dhe çmimeve të ushqimeve të cilat janë të larta dhe reflektohen në kosto”, u shpreh Bedinaj.

 

Por mungesa e stafit të kualifikuar mbetet një shqetësim që për disa operatorë turizmi në Sarandë ka ndikuar dhe në refuzimin e kontratave me të huajt.

 

“Mbetet një problem fakti që s’kemi punëtorë. Këtë vit ka një kërkesë të madhe nga italianët të vijnë në Vlorë dhe Sarandë. U kemi thënë partnerëve tanë që s’mund t’i përballojmë të gjithë, jo vetëm për  mungesë stafi por dhe për mungesë shtretërish. Ky sezon ka premisat për të qenë më i miri i të gjitha kohërave dhe do përpiqemi t’i shërbejmë me cilësi”, u shpreh në E-ZONE Arben Çipa turoperatorë nga Saranda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *