E hënë, 16 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 06:55 Në vijim ora 06:55: 7 PA 5 Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

Seancat paraprake zvarriten pafund, avokatët: Afati ligjor është 30 ditë por nuk respektohet

Zvarritja e seancave paraprake është shqetësimi i ri i drejtësisë. 30 ditë kohë ka gjykata për të kaluar për gjykim apo jo seancat paraprake, ato që vendosin nëse një çështje do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit. Megjithatë koha ka provuar se këto seanca tejkalojnë do afat ligjor. E tillë është dosja Partizani, hetimet e së cilës përfunduan në shtator, por dosja u kalua për gjykim në maj, gati 10 muaj më pas, ose 300 ditë.

“Gjyqtari paraprak është një risi në kodin tonë të procedurës penale, i vitit 2017.  Me të drejtë siç thoni ju dispozita lejon gjyqtarin paraprak që brenda 30 ditëve të japë një vendim. Tashmë është bërë modë që ky afat nuk respektohet madje shkon me muaj të tërë”, tha avokati Genc Gjokutaj. 

Për juristin, Genc Gjokutaj kjo nxjerr në pah një problematikë edhe më të madhe, atë të Kodit të Procedurës Penale në vetvete.

“Ky është defekt i ligjit, i teknikës legjislative sepse në momentin që ligji përcakton një afat duhet të shprehet edhe çfarë ndodh kur ky afat nuk respektohet. Këto janë dispozita blankete quhen, të bardha. Si puna e një dispozite penale që e dënon diçka, por nuk thotë se me çfarë e dënon. Ky nuk është i vetmi problem që kodi i procedurës penale, ndonëse i ri. Kodi duhet të jetë i fragmentuar për çdo episode të procesit dhe jo të bëhen gjyqtarët fallxhorë, të bëjnë interpretime subjektive për rrugët që duhet të ndjekë procesi”, shtoi Gjokutaj. 

Reklamë

Zgjatja në kohë e seancave që do te percaktoje nëse dosja do të kalojë apo jo për gjykim, në fakt thellon edhe më shumë një ngërç ekzistues të gjykatave, atë të shtimit të stokut të dosjeve, por jo vetëm.

“Merrni një të pandehur të arrestuar. Afatet tërësore të paraburgimit janë 3 vjet. Një vit hetimi, një vit gjykimi, një vit apeli. Po ku futet kjo seanca paraprake që shkon 7-8 muaj? Kjo është pjesë e hetimit apo e gjykimit që të llogariten afatet e paraburgimit? Me ndryshimet që janë bërë në ligj, shtyrja e pa shkak e penalizon si avokatin që gjobitet ashtu edhe të arrestuarin me pezullimin e afateve të paraburgimit”, tha ai. 

Skenarët ligjorë të mundshëm të gjyqtarit paraprak janë ai i dërgimit të dosjes për gjykim, pushimi e akuzës dhe në alternativë kthimi pas i saj për plotësim hetimesh për prokurorin. Aktualisht në Gjykatën e Posaçme ish- presidenti i vendit, Ilir Meta për dosjen CEZ-DIA dhe Lobingun pret të njëjtin vendim. Në po të njëjtën fazë gjykimi është edhe kryebashkiaku i burgosur i kryeqytetit, Erion Veliaj./vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë