Ministrat e Jashtëm të BE-së janë mbledhur në Bruksel. Fokusi i këtij takimi është vendosja e paketës së 20 të sanksioneve për Rusinë, të cilën unioni shpreson ta miratojë përpara përvjetorit të katërt të agresionit të Moskës ndaj Ukrainës.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pranoi se “nuk do të ketë përparim” në këtë çështje sot, pasi Hungaria vazhdon të bllokojë miratimin e sanksioneve.
“Po bëjmë çmos që paketa e sanksioneve të kalojë dhe po kërkojmë mënyra se si mund ta bëjmë këtë. Por, meqenëse kemi dëgjuar disa deklarata shumë të forta nga Hungaria, nuk shoh realisht se ata do ta ndryshojnë këtë qëndrim për fat të keq sot”, tha Kallas.
Nga ana tjetër ministri i Jashtëm hungarez theksoi se Ukraina po sillet në mënyrë armiqësore ndaj vendit të tij
“Hungaria nuk e urren Ukrainën, por problemi është se shteti ukrainas e urren Hungarinë dhe shteti ukrainas ndjek një qasje politike anti-hungareze gjatë dhjetë viteve të fundit. Ukraina sillet në një mënyrë shumë armiqësore ndaj Hungarisë. Ju lutem pyetini ukrainasit pse i kanë ndaluar furnizimet me naftë në Hungari, pse e vënë në rrezik sigurinë e furnizimit me energji të Hungarisë, pse nuk ia kthejnë të drejtat komunitetit kombëtar hungarez? … Dhe jam shumë kurioz se cila do të jetë përgjigjja e tyre.Komisioni Evropian sillet si komisioni ukrainas duke i vënë interesat e Ukrainës përpara atyre të Hungarisë”, tha Péter Szijjártó.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, u shpreh i habitur nga qëndrimi hungarez mbi sanksionet dhe shpresonte ta diskutonte këtë gjatë takimit të kësaj të hëne. Shefi i diplomacisë estoneze, Margus Tsahkna, ishte më i drejtpërdrejtë, duke thënë se dështimi për të miratuar sanksionet e reja do t’i sillte vetëm dobi Rusisë.





