E enjte, 19 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Samiti historik në Kinë, Trump, Xi dhe Putin në një tryezë: Po bëjmë histori!

Takimi i parë trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin ka nisur në Shenzhen të Kinës, nën kryesimin e liderit kinez, në margjinat e samitit të APEC-ut.

Gjatë fjalës hapëse, Putin falënderoi Xi Jinping për organizimin e këtij takimi, duke theksuar përgjegjësinë e përbashkët të tri fuqive për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Rusia, Republika Popullore e Kinës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tri shtete fituese të Luftës së Dytë Botërore dhe ndajnë përgjegjësinë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, deklaroi Putin.

Ai theksoi gjithashtu se tri vendet kanë interesa të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve rajonale, duke përmendur në mënyrë të veçantë luftën në Ukrainë.

Reklamë

Sipas presidentit rus, kjo çështje ishte diskutuar edhe gjatë takimeve të mëparshme me Xi Jinping dhe Donald Trump.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan e cilësoi samitin si një moment historik, duke theksuar rëndësinë e komunikimit mes tri fuqive botërore.

“Ne po bëjmë histori. Ne të tre kemi shumë për të diskutuar dhe tashmë kemi diskutuar shumë”, u shpreh Trump, duke falënderuar Xi Jinping për mikpritjen dhe organizimin e samitit.

Një nga temat kryesore të ngritura nga presidenti amerikan ishte çarmatimi bërthamor. Trump deklaroi se SHBA-ja, Kina dhe Rusia ndodhen në një pozicion të veçantë për të kontribuar në uljen e numrit të armëve bërthamore në botë, megjithëse pranoi se një proces i tillë do të ishte shumë i vështirë.

Në fjalën e tij, Trump u ndal edhe te Irani, duke përsëritur qëndrimin e Uashingtonit kundër pajisjes së Teheranit me armë bërthamore.

“Ne nuk do ta lejojmë Iranin të ketë një armë bërthamore”, deklaroi presidenti amerikan.

Takimi trepalësh në Shenzhen po ndiqet me vëmendje ndërkombëtare, pasi në të njëjtën tryezë janë ulur liderët e tri fuqive me ndikim të madh në politikën dhe sigurinë globale.

Lufta në Ukrainë, siguria ndërkombëtare, armët bërthamore dhe tensionet në Lindjen e Mesme janë ndër çështjet e përmendura në deklaratat hapëse të liderëve.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.