Subscribe

Nga Enkelejda Mema

Në mbyllje të diskutimeve mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi i përcaktoi katër fushat që gjashtë qeveritë e Ballkanit Përëndimor do të duhet të përmbushin përgjatë 2024-ës.

“Patëm marrëveshje për katër fusha ku duhet të ketë rezultate deri në fund të vitit, zona e përbashkët evropiane e transfertave bankare, korsitë e gjelbra, të ulim kohën e pritjes në pikat kufitare dhe të ulim kostot për bizneset, kërkimet shkencore, do të thotë të sjellim brezin tjetër të industrive të ndryshme në rajon dhe e  fundit rrjeti falas i internetit në të gjithë hapësirat publike në gjashtë vendet e  Ballkanit Perëndimor”, tha komisioneri për zgjerimin në BE Oliver Varhelyi.

Më shumë se për mbeshtetjen finaciare që jep Bashkimit Evropian, kryeministri Edi Rama theksoi rrezikun e mosbashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Pengesa e vetme më e madhe këtu është mendësia midis vendeve të rajonit, ky plan i ri i rritjes, sa i takon asaj që duhet të bëjmë në planin rajonal, është ajo për të cilën kemi rëndë dakord 10 vite më parë, në Procesin e Berlinit, ajo që kemi çuar përpara me Ballkanin e Hapur, arsyeja pse për 10 vjet, nuk arritëm të përparonim ishte mendësia dhe ndërhyrja e çështjeve politike dhe retorikës së politkave të brendshme kundër interesave tona. Nëse i bëjmë gjërat së bashku, do të ecim të gjithë. Nëse jo, do të dështojmë të gjithë”, tha kryeministri Edi Rama.

Me deklaratën se Shqipëria është gati për të nisur zyratrisht negociatat anëtarësuese me Brukselin, Oliver Varhelyi nuk tha sesi do të bindet Greqia që të heqë dorë nga vetoja bllokuese.

“Jemi dakordësuar që Shqipëri është gati e BE do të duhet ta marrë këtë vendim. E sado teknik që është nuk e kuptoj pse nuk e marr ne këtë vendim. Nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjin nëse e bllokon për të ecur përpara. Por gjithsesi ne po përpiqemi të ndihmojmë e  shpresoj që muajin tjetër të kemi konferencën ndërqeveritare në mënyrë që të hapim negociatat e vërteta, sepse ne dëshirojmë që të hapim negociatat me grup kapitullin e parë”, shtoi Varhelyi.

Samiti mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian u mbyll me nënshkrimin e një marrëveshje në fushën e arsimit dhe në mungesë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Malit të Zi, Milojko Spajiç./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *