Dëshminë e ish- ministrit të Kultures, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e parë të tij, ish kryeministri Berisha e sheh si të vërtetë absolute. Dy javë më parë në gjykatën e posaçme Ylli Pango dëshmoi për procesin Partizani ku i pandehur është Berisha, me dhëndrin e tij dhe tre persona të tjerë, duke thënë se ka zbatuar programin e Partisë Demokratike për cështjen e pronave.
“Ajo ka qenë mbajtje e fjalës. Nuk ndaja fjalën nga vepra. Kisha premtuar privatizimin e objekteve të privatizueshme dhe kam proceduar me shpejtësinë më të madhe. Ju duhet ta dini, t’ju jap një shifër, qeveria e Partisë Demokratike ka privatizuar në një vit sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar 104 mijë objekte dhe sipërmarrje të vogla e të mesme. Pra, privatizimi është një parim themelor i asaj partie, i atij spektri politik që unë i përkas”, tha Berisha.
Paralelisht teksa Berishës i duhej të përmbushte detyrimin ligjor për tu paraqitur në SPAK, në gjykatë u paraqit edhe ish-ministrit i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, të cilin kreydemokrati e inkurajoi të thotë gjithçka di për procesin e privatizimin të ish klubit sportiv, Partizani.
Në dosjen hetimore, flitet për një komunikim të tensionuar mes Oketës dhe gjeneralit Vladimir Qirjazi. Ky i fundit thotë se është vënë nën presion të firmoste urdhërin për privatizimin e kompleksit sportiv Partizani përndryshe do të kishte një masë disiplinore. I pyetur nga media, ish zyrtari përjashtoi mundësinë që kjo të ndodhte.
“Nuk më rezulton që Qirjazi të ketë përdorur fjalën kërcënuar, komunikimi me Qirjazin ka qenë zyrtar. Ka një urdhër të Ministrisë të Mbrojtjes që del mbi çdo lloj dokumentesh, pjesa tjetër janë kujtim i dikujt tjetër. Nuk kam çfarë të shtoj asnjë lloj dokumenti. Bëhet fjalë për diçka që daton 18 vite më parë. Supozojmë që ministria e mbrojtjes nuk do ta kishte kthyer pronën. Pronarët mund ti ishin drejtuar Strasburgut dhe unë mund të isha thirrur për një dëm financiar që mund ti ishte shkaktuar shtetit shqiptar”, u shpreh ish ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa.
Ish kryministri po gjykohet për korrupsion. SPAK në përpilimin e aktakuzës pretendon se Berisha e vendosi apartatin shtetëror në funksion të privatizimit të ish klubit sportiv Partizani që përfitues fundor të rezultonte dhëndri i bashkëpandehur ne proces, Jamarbër Malltezi.





