Nëse Rusia pushton Ukrainën, rrezikon edhe Ballkani. Deklarata është bërë nga ministrja e Jashtme e Britanisë e madhe, Liz Truss, e cila gjatë një interviste për mediat nënvizoi se Kremlini dëshiron të krijojë “Rusinë e Madhe” duke vazhduar luftën përtej Ukrainës.

 

LIZ TRUSS

MINISTRJA E JASHTME E BRITANISË E MADHE

 

“Putin ka qenë shumë i qartë, ambicia e tij nuk e çon vetëm në marrjen e kontrollit të Ukrainës, ai dëshiron ta kthejë kohën pas, në mesin e viteve 1990 apo edhe para kësaj. Shtetet baltike janë në rrezik ashtu si edhe Ballkani Perëndimor. Putini dëshiron të krijojë Rusinë e Madhe, ashtu siç ishte më parë, ku Rusia kishte kontroll mbi zona të mëdha të Evropës Lindore. Mund të jetë Ukraina javën e ardhshme, por cili vend do të jetë më pas?”

 

Deklarata e sekretares së Jashtme erdhi pas paralajmërimit të kryeministrit britanik Boris Johnson, i cili theksoi së pushtim rus i Ukrainës mund të shkaktojë shkatërrimin e një shteti demokratik, ku tronditjet do të kenë jehonë në mbarë botën.

 

BORIS JOHNSON

KRYEMINISTER I BRITANISE E MADHE

“Provat që ne po shohim janë për diçka që mund të çojë me të vërtetë në luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945, vetëm për sa i përket shkallës e zgjerimit. Njerëzit duhet të kuptojnë koston e madhe në jetën njerëzore që mund të sjellë. Dhe nuk po flasim vetëm për atë ekonomike. Por edhe humbjen e mundshme të jetës së ukrainasve, por edhe të rusëve.

 

Ndërkohë, Perëndimi vijon me paralajmërimet se një sulm i mundshëm rus mund të ndodhë së shpejti. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vuri në dukje shtimin e trupave ushtarake ruse përgjatë kufirit, duke theksuar se mund të rezultojë në pushtimin e plotë të Ukrainës.

 

JENS STOLTENBERG

SEKRETARI I PERGJITHSHEM I NATO-s

 

“Të gjitha shenjat tregojnë se Rusia po planifikon një sulm në shkallë të gjerë në Ukrainë. Trupat ruse nuk po tërhiqen, siç thotë Rusia. Përkundrazi atje po shtohen trupa të reja. Ka edhe shenja se Rusia po përgatitet të inskenojë ndonjë pretekst për një sulm ushtarak në Ukrainë. Shkeljet në rritje të armëpushimit në Ukrainën lindore, “akuzat e rreme” për “gjenocid” në Donbas dhe evakuimi i popullsisë nga zonat e kontrolluara nga separatistët janë “shenja shqetësuese”.

 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, do të zhvillojnë një bisedë telefonike për të diskutuar mbi përshkallëzimin e situatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *