Uashingtoni këmbëngul se qëllimet e Moskës për të pushtuar Ukrainën janë gjithnjë e më të qarta, ndërsa numri i forcave ushtarake pranë kufirit i ka tejkaluar 150 mijë.

 

Presidenti Xho Bajdën u shpreh i bindur se homologu i tij rus ka vendosur të sulmojë gjatë ditëve në vijim dhe objektivi kryesor është Kievi.

 

JOE BIDEN

PRESIDENT I SHBA

 

“Ne besojmë se shënjestra është kryeqyteti Kiev, një qytet me rreth 2.8 milionë njerëz të pafajshëm. Kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë dhe synojnë të sulmojnë Ukrainën në javën e ardhshme, në ditët në vijim. Megjithatë ka ende hapësirë për të zgjedhur diplomacinë, SHBA dhe aleatët e saj qëndrojën të bashkuar në mbrojtje të Ukrainës.”

 

Kreu i shtëpisë së bardhë përsëriti paralajmërimin pas një tjetër konsultimi me liderët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Rumanisë, Britanisë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

 

Ndërkohë Rusia ka nisur stërvitje masive bërthamore këtë të shtunë që përfshijnë lëshimin e raketave balistike e të lundrimit dhe po mbikëqyren nga presidenti Vladimir Putin.

 

Ndërsa separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore, kanë nisur të evakuojnë banorët e rajonit të tyre dhe kanë urdhëruar mobilizimin e plotë ushtarak.

 

Ekipi monitorues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë lajmëroi se vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar pothuajse 600 shkelje të armëpushimit në lindje të Ukrainës, përfshirë 300 shpërthime.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *