Rusia akuzohet për dërgimin e mijëra emigrantëve në Poloni përmes tuneleve nëntokësore nga Bjellorusia, si pjesë e asaj që pretendohet të jetë një luftë hibride që synon destabilizimin e Perëndimit.
Sipas autoriteteve polake, katër tunele nëntokësore u zbuluan në kufirin me Bjellorusinë vetëm në vitin 2025.
Tuneli më i madh u zbulua në mesin e dhjetorit pranë fshatit Narevka në Poloninë lindore. Sipas autoriteteve, ai ishte rreth 1.5 metra i lartë dhe hyrja e tij ishte e fshehur në një zonë pyjore në Bjellorusi.
Vlerësohet të jetë rreth 50 metra i gjatë në anën bjelloruse dhe 10 metra në anën polake. Rreth 180 migrantë, kryesisht nga Pakistani dhe Afganistani, përdorën tunelin për të kaluar kufirin, ku shumica u arrestuan menjëherë pas daljes.
Videoja e publikuar nga roja kufitare tregon një tunel të ngushtë dhe të errët, të përforcuar me mbështetëse betoni për të parandaluar shembjen.
Sipas akuzave polake, regjimi i Aleksandër Lukashenkos dyshohet se përdori ekspertë të Lindjes së Mesme për të projektuar tunelet, me zyrtarë që flasin për një “nivel të lartë ekspertize”.
Edhe pse nuk ka prova për përfshirjen e organizatave specifike, vlerësohet se grupe të tilla si Shteti Islamik, Hamasi, Hezbollahu ose grupe të armatosura kurde mund të jenë të përfshira.
Shqetësime për numrin e tuneleve
Polonia thotë se mund ta trajtojë problemin duke identifikuar dhe shkatërruar pikat e hyrjes në tunele, por është e shqetësuar se mund të zbulohen të reja.
Zbulimi i tuneleve vjen në një kohë kur Rusia dhe aleatët e saj akuzohen se po përpiqen të ushtrojnë presion mbi Perëndimin për mbështetjen e tij ushtarake për Ukrainën. Edhe para se të fillonte lufta në vitin 2022, Bjellorusia u akuzua se po shtynte migrantët drejt kufirit polak, gjë që e shtyu Poloninë të ndërtonte një gardh 200 kilometrash të pajisur me 300 kamera.
Në të njëjtën kohë, Rusia është akuzuar për sabotim të fabrikave dhe hekurudhave që furnizojnë Ukrainën me ndihmë, si dhe për sulme në aeroportet evropiane. Bjellorusia dyshohet gjithashtu se po dërgon balona me mallra të kontrabanduara, të tilla si cigare të paligjshme, në vendet fqinje të NATO-s, duke shkaktuar probleme për trafikun ajror.





