Rruga Milot-Fier/ Teliti: Fituesi i aferës 1.2 miliardë euro është paracaktuar, po përdoret një kompani greke

Partia Demokratike u pozicionua kundër projektit të prezantuar nga qeveria për ndërtimin e rrugës kombëtare Milot-Fier.
Eksperti për çështjet ekonomike në PD, Dorjan Teliti denoncoi për mediat se fituesi i aferës, siç e quan ai, është paracaktuar dhe se 1.2 miliardë euro do të duhet t’i paguajnë qytetarët.
“Rruga që prezantoi sot, Milot-Fier, është modeli sesi qeveria në ikje po përpiqet të grabisë qytetarët deri në momentin e fundit, përmes një të ashtuquajturi tender ndërkombëtar. Nuk ka asnjë tender të vërtetë ndërkombëtar. Binzeset kanë denoncuar se fituesi i aferës 1.2 miliardë euro është paracaktuar, duke përdorur një kompani greke pas të cilës qendrojnë sipërmarrës shqiptarë që kanë pastruar edhe më parë paratë e kryeministrit në kulla kuq e zi. Ajo që sot u pa sot nga Edi Rama dhe Belinda Balluku ishte një shfaqje e shëmtuar me shqiptarët, të cilët po vidhen me çdo vendim të qeverisë në ikje. Fatura që do të paguajnë këtë herë është 1.2 miliardë euro për një rrugë ku vetëm 53 kilometra janë në gjurmë të re, ndërsa 62 të tjerat kalojnë në rrugë ekzistuese. Me çmimin e bërë publik, një udhëtim vajtje-ardhje në rrugën e prezantuar sot do të kushtojë 17,4 euro, ndërsa një udhëtim vajtje ardhje nga Morina në Fier do të kushtojë jo më pak se 27 euro.”
Dorjan Teliti e bëri të qartë se vendimet e qeverisë në ikje të Edi Ramës nuk do të njihen nga qeveria e ardhshme, që sipas Telitit do të jetë PD.
Brenda 2020 angazhimi i qeverisë është të nënshkruajë kontratën për ndërtimin e rrugës kombëtare Milot- Fier. Gara për ndërtimin e 115 kilometrave, pjesë e “Korridorit Blu” me koncesion është hapur.
Milot-Fier do të jetë me pagesë. Për ta përshkuar atë të gjithë një drejtues do të paguajë 8.5 euro. Koha e udhëtimit reduktohet në 75 minuta.




